Loading…

Qipriotizimi dhe palestinizimi i Kosovës- përjetësimi i problemit!

  • Nga

  • ARTON MUSLIU

  • 19/07/2021 | 22:07

Qipriotizimi dhe palestinizimi i Kosovës- përjetësimi i problemit!

Gabimet e një shkencëtari mbase edhe mund të përmirësohen. Ai mund ta shkruaj një teori për të cilën më vonë thotë se kishte qenë gabim. Në këtë rast, dëmi që është shkaktuar, përveç që është i vogël, në të njëjtën kohë është i riparueshëm. Thjesht, teoria e re e zëvendëson atë të vjetrën. 


Shkruan: Arton Musliu

Krejt ndryshe është kur bëhet fjalë për gabimet e politikanëve të cilët janë të veshur me petkun e pushtetit. Gabimet e tyre mund të jenë fatale për tërë popullin, mbase edhe për të ardhmen e tij. Sepse koha nuk kthehet mbrapa. Nga ta varen epokat. Gabimet e politikanëve janë të pariparueshme. Ato përcaktojnë të ardhmen e një vendi, fatin e një populli. Prandaj, përgjegjësia është shumë e madhe.

Historia e re e Kosovës ka treguar që gjenerata e re politike që lindi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte guxim, kurajo, vendosmëri e mbi të gjitha vizion për të ardhmen e vendit. Kjo gjeneratë bëri gjënë e duhur në momentin e duhur. Rroki armët për të luftuar për çlirimin e vendit dhe i’a arriti. Pranoj Rambujenë për të pasuar bombardimet e NATO- s, pranoj çarmatosjen e UÇK- së për t’a shndërruar vite më vonë në ushtri të Kosovës, pranoj negociatat e Vjenës për të pasuar shpallja e pavarësisë së Kosovës, pranoj pavarësinë e mbikëqyrur për ta hequr më pastaj. Pra, përgjatë kësaj periudhe kohore, ishte Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me shumë të tjerë, të cilët në momente kritike e historike për vendin, morën vendime të guximshme dhe me vizion.

A e shtrojmë ndonjëherë pyetjen se çka do të kishte ndodhur po të mos nënshkruhej Rambujeja?! Apo çka do të kishte ndodhur po të refuzohej procesi negociator në Vjenë?!

Përgjigja është shumë e thjesht. Në rastin e parë nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s, e në rastin e dytë nuk do të kishte pavarësi të Kosovës. Natyrisht, që pa rastin e parë nuk do të ndodhte as rasti i dytë. Atëbotë, diplomacia e këtyre burrave e shoqëruar me pragmatizimin që shtyhej nga gjeopolitika botërore e shtyrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prodhoj, së pari çlirimin e mëpastaj edhe shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, tani Kosova është katandisur në vorbullën e një diplomacie katafstrofale, e cila nuk ka prioritizim të duhur të partnerëve strategjik të Kosovës, nuk ka objektiva të parashtruara, nuk ka afate kohore, e mbi të gjitha nuk e ka njohjen e ndërsjellë si epiqendër të procesit të dialogut me Serbinë. Margjinalizimi i rëndësisë së njohjes reciproke në rrethanat e dinamikave të marrëdhënieve ndërkombëtare, praktikës shtetërore dhe evoluimit të kritereve tradicionale të shtetësisë, nga ana e Kryeministrit Kurti, tregon më së miri se ai nuk ka lidhje në këtë punë. Të thuash se nuk është e rëndësishme njohja reciproke me Serbinë dhe në të njëjtën kohë të shkosh pa asnjë kusht në dialog me Serbinë, do të thotë ta përjetësosh problemin. Do të thotë të mos kesh lidhje me diplomaci. Do të thotë ta qipriotizosh e palestinizosh problemin.

Sepse, shtetësia e Kosovës nuk është e përfunduar. Pa njohje të reja, pa anëtarësim në organizata e organizma ndërkombëtar, veçanërisht në OKB, BE dhe NATO, pa liberalizim vizash, po afate e objektiva të qarta në procesin e dialogut me Serbinë, subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës veçse gërryhet e reduktohet.

Përveç kësaj, margjinalizimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga roli i saj primar në kontekstin Kosovë- Serbi, është gabim kardinal. Të besosh e të mendosh se Bashkimi Evropian, Lajçak e Borrel, që nuk kanë qëndrim objektiv e miqësor për Kosovën, do ta zgjidhin problemin Kosovë- Serbi, do të thotë të jesh naiv në rastin më të mirë e dashakeq i Kosovës në rastin më të keq. Një entitet që nuk është në gjendje të zgjidhë problemet e veta, nuk mund të zgjidhë problemet e të tjerëve.

Njëkohësisht, në rrethana të ekzistimit të ndikimit serb në veri e zbrazjes së Luginës së Preshevës nga shqiptarët, vazhdimi i status quo-së është kontraproduktiv.

Kjo politikë, nuk është politikë që është në interes të Kosovës. Kështu qipriotizohet e palestinizohet çështja. Përjetësohet problemi. Një qasje e tillë, përveç që është kontraproduktive në të njëjtën kohë është e dëmshme për subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës. Në kohën e evoluimit të kritereve tradicionale të shtetësisë, me ç’rast kriteret tradicionale janë zëvendësuar dhe komplementuar nga kriteret bashkëkohore, ku njohja është kriter pothuajse vendimtar për etablimin e një entiteti si shtet në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, përcaktimi për ‘status quo’ është përcaktim për qipriotizimin dhe palestinizimin e Kosovës. Është përcaktim për përjetësimin e problemit Kosovë- Serbi.

Më të fundit
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë