Loading…

Dhjetëra familje të Pejës, qe disa javë pa ujë

  • 18/01/2017 | 08:38

Dhjetëra familje të Pejës, qe disa javë pa ujë

Dhjetëra familje të lagjes “Tabje” të Pejës ka disa javë që nuk po furnizohen me ujë.


Zejnullah Kastrati, i cili banon në rrugën “Vëllezërit Topulli”, ka thënë se me ujë të pijshëm nuk janë furnizuar që nga fillimi i këtij viti.

“Ka një kohë, qysh para Vitit të Ri është ndërpre. Uji po vjen shkallë-shkallë, t’u ndërpre, te një shpi -te një shpi, ma poshtë. Tash është ndërpre në gjysmë të rrugës në mëhallën tonë. Nuk ka ujë as natë as ditë. Kjo është një befasi e madhe për neve edhe për çdokënd duhet me kanë kur në këtë kohë dimri uji nuk shkon, nuk vaditet, nuk ka ku me shku aq tepër”, tha ai.

Kastrati thotë se që nga paslufta nuk kanë pasur mungesë kaq të madhe të ujit në lagjen e tyre.

Shqetësim të njëjtë për mungesë të ujit në 30 shtëpitë e lagjes ka edhe Sadri Duraku. “Kem pasë ngapak verës problem me ujë po problem sikur qetash s’kem pasur kurrë”, tha ai.

Për të bërë zgjidhje, banorët po bartin ujë me automjetet e tyre nga qendra e qytetit.

Haki Kastratit thotë se ka disa ditë që po furnizohet kështu. “24 orë nuk kemi ujë, bajmë me bure qysh mundemi. Tash ka ra borë, rruga është blloku, as me bure as me kurgjo , po duhet me shkri borë për me rezervu ngapak ujë”, thotë për KALLXO.com ky banor i kësaj lagjeje.

Banorët thonë së disa herë e kanë lajmëruar ujësjellësin “Hidrodrini”, por ende nuk është gjetur zgjidhja.

E zyrtari i “Hidrodrinit”, Lulzim Pupovci, tha se janë njoftuar për problemin. Sipas tij, në atë pjesë të lagjes nevojitet pompa për rritjen e shtypjes së ujit. “Është fakt që nuk kanë ujë këta banorë. Arsyeja kryesore është se në atë zonë të lartë ku janë këto shpi që nuk kanë ujë nuk mundemi ne si ujësjellës të ju garantojmë ujë, në atë lartësi mbidetare. Do të thotë duhet të vendosen pompat”, tha Pupovci.

Zyrtari i kompanisë “Hidrodrini” tregoi se përpara aty kanë qenë të vendosura pompat, mirëpo ato pompa kanë qenë të vendosura në një pronë private e tash pronari është ndërruar dhe i riu nuk po lejon vendosjen e pompës.

Pupovci tha se u ka thënë banorëve të gjejnë një vend të përshtatshëm në lagje dhe bashkë me kompaninë e ujësjellësit t’i vendosin pompat për shtypjen e ujit.

Kurse banorët thanë së deri tani nuk kanë mundur të gjejnë ndonjë vend për pompat.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë