Plot 870 dorëshkrime orientale si dhe qindra koleksione të rralla, por edhe të përgjithshme, rrezikojnë të dëmtohen tërësisht.
Kjo si pasojë që asnjëherë nuk është investuar në objektin e Bibliotekës Kombëtare dhe reshjet e shiut kanë shkaktuar shpesh vërshime edhe 2 kate nën tokë, pikërisht te depotë ku ruhen ekzemplarët, raporton KTV.
Drejtor i BKK-së, Fazli Gajraku, thotë se ka frikë se mund të shkatërrohen koleksionet dhe të mos ketë më kurrfarë shprese për rikthimin e tyre.
E ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ka thënë se janë duke u bërë studime se ku duhet bërë renovime.
Ndërkaq, teknologia Violeta Selimi, që ka punuar në Bibliotekë deri në vitet e 90-ta, tregon se si atëkohë janë ruajtur librat.
Selimi shprehet se për Kosovën do të ishte humbje e madhe në rast se shkatërrohen dorëshkrimet, por edhe materialet tjera që gjenden në Bibliotekë.
Në objektin e Bibliotekës Kombëtare, për secilin botim nga shtëpitë botuese, dërgohen 5 kopje, në mënyrë që të ruhet trashëgimia e vendit.
Koleksionet në Bibliotekë përfshijnë të gjitha gazetat, revistat, hartat, fotografitë, DVD-të dhe CD-të.