Ndaj rezultateve që ka nxjerr PISA për cilësinë e arsimit e që Kosova është rënditur në fund të kësaj liste, e ka shtyrë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të lëshojë një komunikatë për media. E përmes kësaj komunikate të pranojë dështimin.
“Jemi të vetëdijshëm se duke qenë procesi i parë i tillë në Republikën e Kosovës i njëjti ka pas vështirësitë e vetëkuptueshme të të gjithë aktorëve pjesëmarrës, gjë që padyshim ka pas impakt edhe në nivelin e arritshmerisë së nxënësve tanë”, thuhet në komunikatën e MASHT-it.
Komunikata e plotë e MASHT-it:
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sot ka prezantuar Rezultatet e Vlerësimit Ndërkombëtar PISA 2015, për nxënësit e moshës 15 vjeçare. Po sot, OECD sot ka publikuar rezultatet për të gjitha shtetet pjesëmarrës.
MASHT e vlerëson pjesëmarrjen për herë të parë të Kosovës si shtet në një vlerësim kredibil ndërkombëtar, i cili shënon një moment të ri vlerësimi objektiv dhe krahasimi për sistemin tonë arsimor që nga paslufta deri në vitin 2015.
Jemi të vetëdijshëm se duke qenë procesi i parë i tillë në Republikën e Kosovës i njëjti ka pas vështirësitë e vetëkuptueshme të të gjithë aktorëve pjesëmarrës, gjë që padyshim ka pas impakt edhe në nivelin e arritshmerisë së nxënësve tanë.
PISA 2015 dëshmon se Kosova si vend i ri me sfida të shumta të ndërtimit institucional, mangësi infrastrukturore, kufizime financiare dhe resurseve tjera të domosdoshme përballet me cilësie të pamjaftueshme në fushën arsimore.
Përkundër investimeve të shumta të drejtuara në sektorin e arsimit nga paslufta e në vazhdim, vlerësojmë se fokusi i shoqërisë, qeverisë dhe të gjitha institucioneve tona duhet të jetë me i madh për ngritjen e cilësisë dhe zhvillimin e arsimit në vendin tonë.
Duke qenë të vetëdijshëm për cilësinë e pamjaftueshme dhe në funksion të avancimit të arsimit tonë në të gjitha nivelet e organizimit, MASHT tash e dy vite ka ndërmarrë një seri masash e veprimesh për arritjen e standardeve evropiane në arsim;
Me punën e bërë dhe masat e ndërmarra si dhe me përvojën e krijuar nga administrimin dhe organizimi i testit PISA 2015, jemi të bindur se në testimin e vitit 2018, përkatësisht 2021, nxënësit tanë do të krahasohen jo vetëm me simoshatarët e tyre në rajon por edhe më shtete të zhvilluara e me traditë.
MASHT është i bindur se me përkushtimin dhe punën e mësimdhënësve, drejtorëve te shkollave dhe udhëheqjeve komunale, mbështetjen e institucioneve të vendit, me ndihmën e komunitetit të prindërve dhe akterëve tjerë në fushën arsimore do të arrijmë që të rinjve tanë tu ofrojmë mësimdhënie cilësore çfarë meritojnë ata./gazetametro.net