Qeveria në detyrë ka marrë një varg vendimesh financiare dhe administrative përmes një mbledhjeje elektronike, ku janë miratuar transferime në vlerë të përgjithshme prej 5 milionë e 633 mijë e 900 eurosh, transmeton Gazeta Metro.
Shumica e mjeteve, rreth 4.33 milionë euro, janë ndarë për Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, për sigurimin e barnave nga Lista Esenciale.
Një milion euro të tjera janë transferuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për mbulimin e shpenzimeve operative, ndërsa 300 mijë euro i janë ndarë Komunës së Podujevës për detyrime që rrjedhin nga kontratat.
Në të njëjtën mbledhje është caktuar edhe kompensimi mujor për anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Korporatës së Ruajtjes së Energjisë.
Po ashtu, është miratuar përdorimi i një parcele prej 999 metrash katrorë në Prizren, në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës, për nevojat e Ministrisë së Drejtësisë. Në fund, Qeveria ka nominuar tre përfaqësues të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete./gazetametro.net