Tri partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma’s, u ka shkuar sot një ftesë nga ana e Qeverisë së Kosovës, që të dërgojnë ekspertet e tyre në Komisionin i cili do ta masë territorin e vendit.
Përmes kësaj ftese që ka siguruar Indeksonline, Qeveria po i kërkon opozitës që të caktojnë ekspertët e tyre dhe për këtë u ka dhënë si afat datën e 12 janarit.
Krejt ky afat i shkurtër po bëhet vetëm që puna të fillojë sa më parë. Ky Komisionin që do përfshijë edhe ekspertët e Opozitarëve, ka për detyrë të bëjë matjen e territorit të Kosovës para datës 25 gusht të vitit 2015, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Qeveria që tashmë udhëhiqet nga Isa Mustafa, madje u ka rikujtuar opozitës edhe vendimin e marrë në Qeveri për themelimin e këtij komisioni.
Por kësaj ftese nuk do t’i përgjigjet Lëvizja Vetëvendosje, njëra prej partive opozitare të ftuara nga Qeveria. Madje këta të fundit siç deklarohen për gazetametro.net ende nuk e kanë pranuar ftesën zyrtarisht.
Megjithatë sipas Shkodran Hotit, nga zyra për informim e kësaj lëvizje, ky veprim i Qeverisë është absurd pasi që Demarkacioni në versionin aktual sipas Vetëvendosjes është çështje e vdekur me 1 shtator.
“Konsiderojmë që tani duhet një komision që e rishqyrton tërësisht demarkacionin dhe një i cili e heton punën e deritashme të Komisionit Shtetërorë të udhëhequr nga Murat Meha, më saktë shkeljet procedurale dhe penale nëse ka”, tha Hoti./gazetametro.net.