Qeveria e Kosovës nuk po është në gjendje të gjej rrugë për plotësimin e kriterit kryesor, dhe ndoshta të vetëm për liberalizim të vizave. Demarkacioni me Malin e Zi, që po mbanë të izoluar kosovarët, me gjasë është i pakalueshëm në këtë format, dhe me këtë përbërje të Kuvendit.
Premtimi për liberalizim të vizave daton nga viti 2013, e që do të thotë se qytetarët e Kosovës janë mashtruar që gjashtë vite radhazi nga partitë ne pushtet. Por me e keqja është se liberalizimit nuk i shihet fundi as gjatë këtij viti.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa hiq më larg se dje ka thënë se “pa ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, edhe atë brenda muajit shkurt, liberalizimi i vizave mund të mos bëhet as në vitin 2017se”. Diçka e tillë duket e pamundur në këtë kohë kur opozita ka refuzuar të marrë pjesë ne komisionin e ri për demarkacionin me Malin e Zi.
Këtë e ka bërë të ditur edhe kryetari i Junikut, Agron Kuçi, i cili është caktuar nga Qeveria si anëtar i komisionit të ri për demarkacion.
Kuçi për Gazetën Metro ka thënë se “do të vazhdojmë ta bojkotojmë komisionin, dhe jo vetëm unë si anëtar i komisionit por gjithashtu edhe subjekti politik që i takoj, AAK, përderisa Qeveria nuk do të formoj një komision për ri-shqyrtim të vijës kufitare më Malin e Zi”.
Por a është demarkacioni kushti i vetëm qe ka mbetur për tu plotësuar nga Qeveria e Kosovës!?
Nëse i shikojmë deklarimet e komisionarit evropian, Johannes Hahn, atëherë del te mos jetë vetëm demarkacioni kusht i vetëm, siç pohon Qeveria.
Hahn, kohë më parë perveç demarkacionit, kishte thënë qe t’u shkohet deri në fund gjetjeve në rastet e korrupsionit, dhe gjithsesi duhet të ketë një luftë konstante kundër korrupsionit.
Gjithashtu nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, kishte thënë se kritere mbeten demarkacioni dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Duke fajësuar të gjithë klasën politike për këtë ngecje, shkruan gazetametro.net
Deri me tash nuk kemi parë diçka konkrete sa i përket luftimit të korrupsionit. Nuk është bërë asnjë arrestim i profileve të larta për korrupsion.
Analisti politik Halil Matoshi ka thënë për Gazetën Metro, se për liberalizim të vizave duhet të arrihen disa standarde, si në luftën kundër korrupsionit dhe në llogaridhënie, dhe nuk e sheh demarkacioni si kushtin e vetëm.
“Nga Kosova kërkohen gjykime të shkallës së prerë të zyrtarëve të korruptuar, gjë që Kosova nuk i ka. Ndërsa ministria e integrimeve pos që harxhon buxhet duke rehatuar militantë të koalicionit qeverisës nuk ka asnjë punë më shumë se ato që i kryen Ministria e Jashtme”, ka shtuar Matoshi
Matoshi gjithashtu ka thënë se kosovarët janë duke vuajtur nga sindromi i mbylljes, e i getoizimit si pasojat e politikanëve të korruptuar dhe përplasje pushetet-opozitë.
Gjithashtu një jo seriozitet nga ana e Qeverisë sa i përket përkushtimit për liberalizim të vizave është edhe fakti që Ministria e Integrimeve vazhdon tash e disa muaj të mos ketë ministër në krye të saj.
Së fundi nga ky post ishte larguar pa dhënë asnjë përgjegjësi Bekim Çollaku i cili vetëm e kishte vazhduar lojën e premtimeve të kota si kolegët e tij.
I gjithë ky pa përkushtim dhe pa përgjegjësi nga ana e Qeveritarëve, që të përmbush kushtet e parapara për liberalizim te vizave po e pësojnë qytetarët e Kosovës të cilët vazhdojnë të poshtërohen edhe më tej para ambasadave që të aplikojnë për një vizë./gazetametro.net