Loading…

Qeveria apo qytetarët, kush do të paguaj miliona euro energji elektrike që humbin në rrjet?

  • 21/01/2022 | 15:52

Qeveria apo qytetarët, kush do të paguaj miliona euro energji elektrike që humbin në rrjet?

Shtrenjtimi i energjisë elektrike është i pashmangshëm, vetëm pritet data e përfundimit të konsultimit publik e caktuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.


ZRRE ka propozuar dy blloqe për konsumatorët shtëpiak. Blloku i parë, për konsumin deri në 600 kWh, që sipas tyre e reflekton energjinë që mund t’i alokohet çdo konsumatori në bazë të nivelit të prodhimit që mund ta ofrojnë kapacitetet vendore. Dhe i dyti kur një konsumator konsumon më shumë se 600 kWh, atëherë për të mbuluar konsumin mbi 600 kWh duhet të blihet energji nga importi dhe për këtë arsye, çmimi i energjisë mbi 600 kWh do të reflektojë çmimin e importit.

Pra, sipas ZRRE dhe deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti qytetarët do ta paguajnë në faturat e tyre importin, kurse shpenzimi ndër 600 kWh do të subvencionohet nga Qeveria në një shumë të ndarë prej 75 milionë euro, që është paraparë të subvencionojë edhe bizneset.

Në gjithë këtë diskutim ka edhe një pikëpyetje: Kush do të paguajë humbjet e energjisë elektrike që ndodhin në rrjetin shpërndarës ? A do të paguajë Qeveria me subvencionin e saj, apo do t’u faturohet qytetarëve. A importohet apo prodhohet. Këto humbje veteëm në janar janë rreth 155 GWh.

ZRRE nuk është përgjigjur në këto pyetje për lajmi.net.

Bilanci Vjetor i Energjisë Elektrike bazohet në nevojat e planifikuara të konsumit të energjisë elektrike, i cili në vitin e kaluar, por edhe në këtë vit është parashikuar të furnizohet nga gjenerimi vendor dhe importi i energjisë elektrike. Po ashtu në bilanc parashikohet edhe eksportimi i tepricave të energjisë elektrike.

ZRRE-ja ende nuk e ka publikuar raportin për Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike, por bazuar në atë të vitit të kaluar, humbjet e lejuara të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes sipas të dhënave të pranuara nga KESCO (humbjet teknike dhe komerciale), kanë qenë të planifikuar në vlerë prej 909.8 GWh ose 17.43% e kërkesës totale të sistemit të shpërndarjes (Distribucionit) si dhe humbjet e tejkaluara në vlerën 80.4 GWh.

ZRRE nuk ka dashur të përgjigjet as në atë se sa kanë qenë humbjet e lejuara të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes gjatë vitit 2021, dhe nëse ka pasur tejkalim të planifikimit.

Megjithëkëtë, sipas të dhënave të ZRRE, humbjet më të mëdha të energjisë elektrike në rrjet më së shumti ndodhin në dhjetor, janar dhe shkurt. Pra, bëhet fjalë për humbjet teknike dhe komerciale, te cilat ZRRE ia njeh KEDS-it dhe janë në rënie cdo vit.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Albin Kurti, para deputetëve në seancë ka thënë se vetëm ditën e djeshme Kosova ka importuar 2.5 milion euro rrymë. Ai ka pyetur ligjvënësit se si të paguhet kjo rrymë me çmimin e lartë të importit të saj.

Kurti ka thënë se në pikun e ditës, 240 euro kanë paguar një megavat orë që e kanë importuar.

“Unë po e marr vetëm shembullin e ditës së djeshme, 19 janar 2022, pra në ditën e djeshme i kemi pasë në punë A1,A2 dhe A3, ka punuar edhe B1 me 251 megavat, B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit. Totali i gjenerimit të energjisë me kapacitetet tona ka qenë 727 megavat, piku ka qenë 1317 megavat.Në ditën e djeshme importi është mbi 10 gigavat orë, ndërkaq devijimi është mbi 400 megavat orë. Në bursën ndërkombëtare, çmimi bazë ka qenë 227 euro,vetëm importi dje ka kushtuar 2.5 milionë euro. Prandaj deputetë të nderuar më tregoni si ta paguajmë rrymën”, ka thënë Kurti.Ai tha se gjatë vitit Kosova A dhe Kosova B janë jashtë funksionit për 10 javë përkatësisht 54 ditë.“Nuk bëhet fjalë për çmimin e megavat orë që na vie prej KEK-ut por prej asaj që na vjen nga bursa ndërkombëtare. Gjatë vitit TC Kosova A ka 30 ditë riparim që është jashtë funksionit, totali është mbi 10 javë jashtë funksionit, ndërkaq TC Kosova B, është 54 ditë jashtë funksionit. Me 727 megavat e me konsum prej mbi 1.3 gigavat me import rreth 250 megavat orë ne po përfundojmë duke i shpenzuar 2.5 milionë euro në ditë”, tha Kurti.

Tashmë është bërë e ditur se nëse të hyrat shtesë që duhet të mbulohen nga rritja e tarifave janë 132.7 milionë euro dhe Qeveria do të mbulojë 75 milionë euro, kjo nënkupton që ndryshimi efektiv që duhet të mbulohet nga tarifat e reja është 57.7 milionë euro.

Ndikimi i subvencionit të qeverisë ulë presionin për rritjen e tarifës si më poshtë:

Është thënë se, tarifa për konsumatorët biznesorë mbetet me 0% rritje;

Tarifa për konsumatorët shtëpiak mbetet me 0% rritje deri në konsumin prej 600 kWh;

Tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh reduktohet nga 0.21 eur/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 eur/kWh për energjinë e konsumuar jashtë saj në 0.14 eur/kWh për energjinë në tarifë të lartë dhe 0.06 eur/kWh për energjinë jashtë saj.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë