Kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati nuk e ka dërguar në adresën e duhur kërkesën e tij për organizimin e një referendumi konsultativ për reformimin e arsimit në këtë komunë, transmeton Gazeta Metro.
Ai të njëjtën kërkesë e ka dërguar KQZ, por sipas tyre e njëjta duhet të dërgohet në zyrën ligjore për shqyrtim.
Në mbledhjen e 17’të me radhë të KQZ’së të mbajtur sot, kërkesa e kryetarit Kastrati u tërheq nga rendi i ditës me arsyetimin se një kërkesë e tillë fillimisht duhet të dërgohet në zyrën ligjore për shqyrtim.
“Shqyrtimi i kërkesës së kryetarit të komunës së Kamenicës për organizimin e referendumit, mendoj që ish dashtë me kalu nëpër këshill për çështje ligjore fillimisht”, tha Florian Dushi, anëtar i KQZ’së.
Me këtë propozim të Dushit u pajtuan edhe anëtarët e tjerë të KQZ’së.
Ndërsa, kryetarja Valdete Daka tha se KQZ nuk ka kompetenca për shqyrtimin e kërkesës të kryetarit Qëndron Kastrati.
“Ne s’kemi fare kompetenca të tilla”, tha ajo gjatë mbledhjes së KQZ’së.
Në vitin 2016, një fshat i Suharekës, Dubrava, kishte mbajtur një referendum për ndërtimin e një xhamie në fshat, por KQZ nuk kishte marrë pjesë në organizimin e tij. /gazetametro.net