Zëri i shoqatës “Down Syndrome Kosova” ka kaluar kufirin duke shkuar kësaj radhe në Gjermani.
Është fjala për qytetin Regensburg të Gjermanisë ku katër të rinj nga Kosova që studiojnë Punë Sociale atje, përmes aktiviteteve po ndihmojnë që puna e të rinjëve me këtë sindrom të vlerësohet, shkruan gazetametro.net
Kartolinat e punuara nga të rinjtë e Down Syndrom në qytetin e Prizrenit po shiten nga vullnetarët kosovarë, të ndihmuar nga shumë studentë dhe profesorë gjermanë.
26 vjeçarja nga Gjakova, Blerina Lila e cila është edhe vullnetare e rregullt në këtë shoqatë, tregon për Gazetën Metro se si një gjë e tillë po mirëpritet nga rrethi i tyre në Gjermani.
“Ky është njëri prej programeve që ka Down Syndrome Kosova, më saktësisht Projekti i Kartolinave të cilat punohen nga të rinjtë e prekur me këtë sindromë, ne po mundohemi që përmes aktiviteve të tilla t’i sigurojmë një buxhet sado modest organizatës-degës ne Prizren.”, tha Lila në bisedën e saj me gazetën Metro.
Një kartolinë e punuar bukur nga të rinjtë prizrenas kushton 2.5 euro. Grupi i studentëve kosovarë kanë gjithsej 400 kartolina, dhe deri më tani ata kanë shitur 100 sosh.
Vullnetarja Lila tregon se ata synojnë që të mbledhin dikun rreth 1000 euro nga kjo gjë. Ndërsa, me këto të holla të rinjve dhe fëmijëve me sindromin Down do u plotësohen disa nevoja dhe do u ofrohen shërbime të ndryshme. Kjo pasi zyra në Prizren është hapur rishtas dhe ata kanë nevojë për buxhet më të qëndrueshëm.
Ajo tutje tregon se ky është aktiviteti i dytë, ndërsa ai i radhës pritet të mbahet këtë të enjte.
Lila tregon se përkrahja nga gjermanët nuk po mungon asapak.
“Për realizimin e aktivitetit na kanë ndihmuar shumë Këshilli i Studentëve si dhe profesorët Ruth Seifert dhe Imgrad Schroll- Decker u shpreh ajo në fund./gazetametro.net