Skulpturat e Greqisë së lashtë kanë ngjallur prej kohësh interes dhe debat për mënyrën se si paraqitet trupi mashkullor, veçanërisht për kontrastin mes trupave të përkryer muskulorë dhe përmasave të organeve gjenitale në artin klasik, sidomos me një penis të shkurtër apo të gjatë, transmeton Gazeta Metro.
Në artin e asaj periudhe, burrat qofshin perëndi, heronj apo atletë përshkruhen si figura ideale, me muskuj të theksuar, forma të harmonizuara dhe qëndrime të fuqishme, shpesh të zhveshura plotësisht ose pjesërisht të mbuluara me pëlhurë.
Megjithatë, për syrin bashkëkohor, një detaj bie menjëherë në sy: paraqitja e organeve gjenitale në përmasa të vogla.
“Ata kanë penise të vegjël deri shumë të vegjël, krahasuar me mesataren e njerëzimit. Dhe zakonisht janë të dobët.”, thotë historiani i artit Andrew Lear, i specializuar në artin dhe seksualitetin e Greqisë së lashtë.
Kjo, sipas studiuesve, nuk ishte thjesht zgjedhje estetike, por pjesë e një sistemi të tërë vlerash kulturore dhe shoqërore. Në Greqinë e lashtë, madhësia e madhe e penisit nuk konsiderohej shenjë force apo virtyti, por përkundrazi lidhej me instinktin, mungesën e vetëkontrollit dhe sjelljet e pakontrolluara.
“Penisi i vogël ishte në përputhje me idealet greke të bukurisë mashkullore”, shkruan historiani Paul Chrystal në librin e tij “Në shtrat me grekët e lashtë” (2016). “Ishte një simbol i kulturës më të lartë dhe i qytetërimit”.
Në veprat artistike të asaj kohe, trupat idealizoheshin si të përmbajtur dhe racionalë, ku theksi vihej te harmonia, proporcioni dhe kontrolli trupor, duke dalluar qartë figurat e virtytshme nga ato që përfaqësonin instinktin apo sjelljet e pakontrolluara.
Ky kod estetik, sipas studiuesve të artit antik, ndihmon për të kuptuar se si grekët e lashtë e konceptonin bukurinë mashkullore dhe lidhjen mes trupit, moralit dhe qytetërimit./gazetametro.net