Loading…

Pse është rritur numri i divorceve në Lindjen e Mesme?

  • 05/10/2022 | 18:41

Pse është rritur numri i divorceve në Lindjen e Mesme?

Në një kohë kur në Europë numri i divorceve po ulet, në Lindjen  e Mesme po vihet re një tendencë në rritje. Kështu për egjiptianët, ato janë dyfishuar që kur procesi i ndarjes së bashkëshortëve u lehtësua për gratë në vitin 2000.


Në Jordani, Liban, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, më shumë se një e treta e martesave përfundojnë me divorc. Ndërsa pothuajse gjysma e bëjnë këtë në Kuvajt, me një normë më të lartë se SHBA.

“Disa ditë, ne kemi deri në 16 raste divorci vetëm në këtë gjykatë,” tha për Arab News Sheikh Wassim Yousef Al-Falah, një gjykatës i Sheriatit në Gjykatën Fetare të Bejrutit.
“Rritja e shkallës së divorcit është një fenomen që nuk e kemi parë kurrë më parë dhe dua të ritheksoj se shumë prej nesh gjyqtarëve, nuk janë pro dhe, në të vërtetë, ne fokusohemi për çdo përpjekje të mundshme për pajtim”, thotë ai.

Një studim i fundit nga Qendra e Informacionit dhe Mbështetjes së Vendimeve të Kabinetit Egjiptian zbuloi se Kuvajti, Egjipti, Jordania dhe Katari janë vendet arabe me përqindjet më të larta të divorcit. Në Kuvajt, 48% e të gjitha martesave përfundojnë me divorc, 40% në Egjipt, 37.2% në Jordani, 37% në Katar dhe 34% në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Liban.

Ekspertët besojnë se kjo prirje është nxitur nga një kombinim i presioneve ekonomike, normave sociale në zhvillim, reformave ligjore dhe më e rëndësishmja, ndryshimi i rolit të grave në këto shoqëri.

“Gratë nuk ndjejnë më se kanë nevojë për burra,” tha Al-Falah. “Shumë gra kanë ardhur në gjykatën time, duke refuzuar çdo marrëveshje me burrat e tyre, sepse ato mendojnë se mund të jenë të pavarur dhe nuk duan që burrat të kontrollojnë jetën e tyre.”

Për pjesën më të madhe të kulturave më konservatore të botës arabe (si Arabia Saudite, një monarki absolute, por mbi të gjitha vendi islam që zbaton ligjin e Sheriatit në mënyrën e tij më të rreptë) vendi i një gruaje është konsideruar prej kohësh vetëm shtëpia. Gruaja ishte ajo që duhej të kujdesej për nevojat e familjes, ndërsa djemtë studionin dhe shkonin në punë. Tani, ndërsa kombet arabe po modernizojnë gjithnjë e më shumë ekonomitë e tyre dhe reformojnë sistemet e tyre ligjore, gratë po bëhen më të pavarura, duke ndjekur arsimin e lartë, duke përparuar në karrierën dhe duke zgjedhur të martohen dhe të kenë fëmijë më vonë. Si rezultat, gratë arabe kanë zhvilluar një vetëdije më të madhe për të drejtat e tyre civile, ambiciet personale dhe respektin për veten. Ato gjithnjë e më shumë refuzojnë të tolerojnë dhunën në familje dhe janë në gjendje të mbështesin veten financiarisht.

Ndërkohë gjatë dekadës së fundit, shkalla e divorcit në Evropë është ulur: nga 1.9 divorce për 1000 persona në vitin 2010 në 1.6 për 1000.

Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme për të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së, ka pasur rreth 1.4 milionë martesa dhe rreth 0.7 milionë divorce në BE në vitin 2020, nga 1.9 milionë martesa dhe rreth 0.8 milionë divorce në vitin 2019. Që nga viti 1964, divorci është dyfishuar ndjeshëm, nga 0.8 për 1000 njerëz në vitin 1964 në 1.6 në vitin 2020.

Megjithatë, një pjesë e kësaj rritjeje mund të jetë për shkak të faktit se në disa shtete anëtare të BE-së divorci u legalizua gjatë kësaj periudhe, për shembull, në Itali, Spanjë, Irlanda dhe Maltë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë