Loading…

PSD ‘heshtë’ për rastin e Molliqajt dhe Abazit: Deklarata e tyre e vetme, statusi i Dardanit

  • 13/09/2019 | 14:17

PSD ‘heshtë’ për rastin e Molliqajt dhe Abazit: Deklarata e tyre e vetme, statusi i Dardanit

Partia Social Demokrate (PSD), në të cilën bën pjesë Dardan Molliqaj, nuk është deklaruar për incidentin mes tij dhe anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosjes (VV), Haki Abazi, shkruan Gazeta Metro.


Në korridorin e kolegjit ‘AAB’, teksa po dilte nga emisioni, kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, është sulmuar fizikisht nga kandidati i PSD’së, Dardan Molliqaj dhe shoqëruesi i tij.

Rrahjen e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku edhe ka treguar detajet nga kjo rrahje.

“Viktima mashkull K/Shqiptar ka raportuar se pas përfundimit të debatit i cili ishte mbajte në një televizion, në korridor të objektit të universitetit privat jashtë studios ishte sulmuar fizikisht nga dy të dyshuarit meshkuj K/Shqiptarë të cilët pas sulmit ishin larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e sulmit viktima kishte pësuar disa lëndime të vogla dhe nuk ka pranuar të marr tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, është njoftuar prokurori me vendim e të cilit rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka thënë Policia e Kosovës.

Mirëpo incidentin e Molliqajt me Abazin nuk e ka komentuar partia e këtij të parit.

Metro ka kontaktuar zëdhënësen e PSD’së, Natyra Kuçi, se si e komenton kjo parti këtë rrahje dhe se a i mbështesin veprimet e tilla.

Pas disa tentimeve në telefon, Kuçi ka thënë se përgjigja e vetme që mund ta marrim është vetëm tek postimi i Dardan Molliqaj në Facebook.

“Zotëri Molliqaj e ka sqaruar rastin. Referojuni deklarimit të tij në rrjetin social Facebook”, ka thënë zëdhënsja e PSD’së, Natyra Kuçi, për Metron.

Ndërkaq menjëherë pas incidentit, Molliqaj kishte shkruar në Facebook se asgjë nuk ka ndodhur pas debatit dhe nuk e ka pranuar që një rrahje ka ndodhur mes tij dhe Haki Abazit të VV’së.

“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik.
Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike.
Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, kishte shkruar Molliqaj në Facebook.

Ndërkaq Haki Abazi pati treguar për mediat momentin kur ishte sulmuar nga Molliqaj.

“Kam qenë duke dalur nga koridori i terlevizionit dhe Dardani me shoqëruesin e tij erdhën përmbrapa dhe u kacafytëm dhe dojshim mem goditë. Ka hy Rexhep Hoti në mes dhe qashtu njëfarë situate e pakëndshme një kapjes për fyti e qisi senesh. Edhe një goditje në këmbë sdi ka më ka ardhë se ishte një situatë komplet jo e mirë”, kishte thënë Abazi menjëherë pas sulmit.

Përkundër partisë së Molliqajt, partia e Abazit kishte reaguar menjëherë pas incidentit, duke kërkuar që policia të marr masat dhe kishin kërkuar nga KQZ që të largojnë nga lista personat që ushtrojnë dhunë.

Një incident të tillë e kanë dënuar analistë dhe media të shumta, derisa është bërë edhe thirrje që personat që bëjnë probleme nëpër studio televizive mos të thirren më në debate./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë