Loading…

Prokuroria po e heton si vrasje të rëndë vrasjen e inspektorit të pyllit: U gjet i vdekur pranë veturës zyrtare

  • 19/12/2019 | 19:39

Prokuroria po e heton si vrasje të rëndë vrasjen e inspektorit të pyllit: U gjet i vdekur pranë veturës zyrtare

Derisa po kryente inspektime, Nazmi Rrustemi, inspektor i pyllit në Komunën e Prishtinës, u gjet i vdekur të mërkurën në mbrëmje.


Ai u qëllua me armë zjarri në afërsi të Liqenit të Badovcit, në pjesën e pyllit, raporton KTV.

Këtë e ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.

“Raportohet se është gjetur pa shenja jete në pyll, viktima mashkull K-Shqiptar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar, ku shihet se viktima është qëlluar me armë zjarri”, ka thënë zyra për media e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke kryer hetimet, derisa rastin e ka cilësuar si vrasje të rëndë dhe po pret raportin e autopsisë për t’i sqaruar rrethanat e vdekjes.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi do të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë”, hetimet janë duke u zhvilluar dhe priten rezultatet e autopsisë për sqarimin e rrethanave të vdekjes së personit të lartcekur”, ka thënë zyra për media e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Lidhur me vrasjen e inspektorit të pylltarisë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në një postim në Facebook, i njëjti ka thënë se inspektorët në përgjithësi janë të rrezikuar në punën që bëjnë.

“Familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe, si Komunë, do t’ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira. Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë. Ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen inspektorët e komunës”, ka shkruar Ahmeti.

Në anën tjetër, Sindikata e Pavarur e Pylltarisë ka reaguar për vrasjen e Nazmi Rrustemit, duke thënë që punëtorët e pylltarisë kanë kushte të vështira të punës.

“Sindikata e Pavarura e Pylltarisë së Kosovës shpreh shqetësim të thellë për kushtet e vështira të punës me të cilat po ballafaqohen punëtorët e pylltarisë dhe rrezikun që u kanoset atyre çdo ditë në vendin e punës, ashtu siç ndodhi me rastin e vrasjes në vendin e punës të rojës së pyllit z. Nazmi Rustemi, roje në rajonin e Prishtinës”, është thënë në komunikatën e Sindikatës së Pavarur të Pylltarisë së Kosovës.

As policia e as institucionet tjera, deri më tani, nuk kanë sqaruar saktë se si ka ndodhur rasti. Vetëm është thënë që ai është qëlluar me armë zjarri dhe se ende nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen e tij.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë