Një nxënës i klasës së 8-të të shkollës “Faik Konica” po raportohet se ka shfaqur në monitorin e klasës një video me përmbajtje pornografike përmes telefonit të tij, ndërsa pas kësaj është suspenduar e tërë klasa, transmeton Gazeta Metro.
Ngjarja ka ndodhur më 2 qershor rreth orës 10:00, ka thënë për Paparacin një prind, i cili ka ngritur shqetësim për mënyrën se si është trajtuar rasti.
Pas këtij veprimi të papërshtatshëm, gjithnjë sipas prindit, kujdestarja e klasës i ka ftuar në mbledhje urgjente, ku janë njoftuar për incidentin dhe për nxënësin që dyshohet se e ka kryer veprimin.
Prindërit pretendojnë se janë njoftuar se drejtoresha e shkollës, Jehona Oruqi, dhe komisioni disiplinor kanë marrë vendim për suspendimin e të gjithë klasës.
Ata e konsiderojnë këtë masë të padrejtë, duke argumentuar se përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe jo kolektive, veçanërisht kur, sipas tyre, është identifikuar nxënësi përgjegjës.
Gazeta Metro ka provuar të kontaktojë me Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.