Loading…

Prishtina miraton buxhetin për 2027, parashihet zgjatja e sheshit deri te Posta

  • 29/09/2026 | 12:41

Prishtina miraton buxhetin për 2027, parashihet zgjatja e sheshit deri te Posta

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin e kryeqytetit për vitin 2027, i cili tejkalon shumën prej 161 milionë eurosh, transmeton Gazeta Metro.


Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve është planifikuar për investime kapitale. Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, rreth 58 milionë euro do të ndahen për këtë kategori, ndërsa 22 milionë euro vijnë nga Ligji për Kryeqytetin.

Në mesin e projekteve të parapara është edhe vazhdimi i sheshit “Xhorxh Bush” në drejtim të Postës, për të cilin është paraparë një investim prej më shumë se 7 milionë eurosh.

Rama, gjatë prezantimit të buxhetit, ka kërkuar nga asamblistët që ta mbështesin atë, duke theksuar se fondet do të orientohen në disa fusha të shërbimeve publike dhe në përgatitjet për Prishtina 2030.

“Mjetet e qytetarëve do t’i kthejmë në çerdhe, shkolla, sport, shëndetësi e kulturë dhe përgatitjet për Prishtina 2030. Për buxhetin mund të ketë debat, por duhet të ketë vendim. Të mos mbetemi peng i dallimeve politike. Nuk votojmë për pushtetin, po për qytetarin. Kërkoj votën tuaj që të vazhdojmë punën. Kemi përgjegjësinë ndaj atyre që na kanë zgjedhur. Të bëhemi bashkë për një Prishtinë më të mirë”, deklaroi Rama në fjalimin e tij.

Megjithatë, buxheti nuk mori mbështetjen e grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes. Kryetari i tyre, Gëzim Sveçla, e ka kritikuar mënyrën e hartimit të tij, duke pretenduar se përfitues të tij janë grupe të caktuara politike.

“Buxheti nuk është për qytetarin, por pak për LDK-në dhe pak për PDK-në. Buxhet që iu shërben grupeve të caktuara. Vetëvendosje nuk ka votë për një buxhet të tillë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, LDK-ja dhe PDK-ja kanë votuar pro planit financiar të komunës.

Në fund, buxheti për vitin 2027 është miratuar me 31 vota për, ndërsa 12 asamblistë kanë votuar kundër./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë