Loading…

Presidenti Meta, ndryshe nga kryeministri Rama, kundër idesë së Thaçit për korrigjim të kufirit

  • 15/10/2018 | 22:31

Presidenti Meta, ndryshe nga kryeministri Rama, kundër idesë së Thaçit për korrigjim të kufirit

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta i ftuar sot në emisionin “5 pyetjet” është ndalur sërish në debatin rreth një korrigjimi të mundshëm të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur sërish qëndrim kundër ndryshimit të kufijve.


Presidenti Meta, për dallim nga kryeministri Edi Rama, ka dalë kundër idesë së presidentit kosovar Hashim Thaçi, për korrigjim të kufirit me Serbinë, si mundësi e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të dy vendeve.

I pyetur nëse ideja e Thaçit, mbështetet nga SHBA, Meta është shprehur se “Mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë ndryshuar politikën e tyre për rajonin, pra si politikë që synon fuqizimin e stabilitetit dhe sigurisë në këtë rajon, aq më tepër kur kemi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, kemi përpjekjet e tyre për të mbështetur marrëveshjen e Maqedonisë me Greqinë, që do të anëtarësonte shumë shpejt edhe Maqedoninë në NATO.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur dhe do të mbështesin dialogun me Serbinë, por e kanë bërë të qartë që ky dialog të sjellë një produkt të zbatueshëm, një produkt që garanton stabilitet, për Kosovën, për Serbinë edhe njëkohësisht edhe për të gjithë rajonit.

Natyrsht kushdo mund t’i bëjë interpretim në mënyrë të ndryshme, por interpretimi që unë i bëj këtij qëndrimi është që nuk është e vërtetë që, bashkësia ndërkombëtare nuk ka asnjë vijë të kuqe për këtë çështje. Vija e kuqe është dhe mbetet stabiliteti dhe siguria e Kosovës, dhe njëkohësisht e gjithë rajonit nga një marrëveshje e tillë”.

“Në rastin më të mirë është humbje kohe, “wasted time”. Në rastin më të keq rrezikon hapjen e “Kutisë së Pandorës” dhe kjo nuk është diçka e rëndë po të flasim për çështjen e kufijve në Ballkan, sepse dihet nga i kanë ardhur fatkeqësitë Ballkanit, historikisht, jo më shumë se para 20 viteve”.

“Për rastin aktual duhet të kemi parasysh se Presidenti Thaçi nuk ka folur asnjëherë për ndarje të Kosovës, apo për shkëmbime territoriale. Ai ka ngritur çështjen e korrigjimeve të kufijve si një term i ri që, nënkupton sipas tij, mundësinë e bashkimin të Luginës së Preshevës me Kosovën, por pa cenuar tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës. Në këtë drejtim, qëndrimi im ka qenë tërësisht i përgjegjshëm, i përmbajtur dhe koherent me të gjithë politikën që Shqipëria ka ndjekur përgjatë gjithë këtyre viteve në mbeshtetje të pavarësisë së Kosovës, të njohjes sa saj, por edhe të mbështetjes së dialogut Serbi-Kosovë”. Meta ka thënë se ky dialog nuk duhet të dërgojë drejt ndryshimit të kufijve. “Unë kam theksuar gjithmonë se ky dialog nisi për të njohur dhe për të pajtuar këto dy realitete dhe jo si një mënyrë për të devijuar nga ky realitet dhe për të shkuar drejt së panjohurës, që do të thotë ndryshimi i kufijve apo shkëmbime territoriale”. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë