Loading…

Presidenti gjerman flet për dialogun Kosovë-Serbi: Gëzohem se propozimi gjermano-francez po pranohet

  • 29/11/2022 | 16:31

Presidenti gjerman flet për dialogun Kosovë-Serbi: Gëzohem se propozimi gjermano-francez po pranohet

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut tha se rajoni mbetet në agjendën evropiane sikur edhe në pritjet për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës.


Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, kreu i shtetit gjerman tha se integrimi evropian është i arritshëm për Maqedoninë e Veriut, porse pa dhënë afate, mirëpo duke theksuar nevojën për zbatimin e reformave të domosdoshme për anëtarësim.

Steinmeier, deklaroi të martën në Shkup se Bashkimi Evropian nuk e ka harruar Ballkanin Perëndimor dhe se vizita e tij është funksion të përcjelljes së mesazhit se rajoni është në agjendën evropiane.

Presidenti gjerman foli edhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar interesin e Bashkimit Evropian për normalizimin sa më të shpejtë të raporteve ndërmjet këtyre dy vendeve.

“Sa i përket raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, mund t’ju them se i gjithë Bashkimi Evropian është i interesuar që sa më shpejt të vijë deri te normalizimi i raporteve mes tyre. Për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem se propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe ai po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, deklaroi presidenti gjerman, transmeton REL.

Plani franko-gjerman, që ka mbështetjen e Parisit dhe Berlinit, thuhet se ka për qëllim normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Së fundmi, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet këtij plani si “propozim i Brukselit”.

Ekzistenca e një plani të tillë është konfirmuar nga liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe në opinion jozyrtarisht ka qarkulluar një dokument për të.

Kosova e ka parë këtë plan si “bazë të mirë” për diskutime të mëtejme në dialogun që zhvillon me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së, ndërkaq Serbia ka thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se plani konsiston në atë që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë në Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të Beogradit në BE.

Ndërkaq, presidenti gjerman gjatë qëndrimit në Maqedoni të Veriut tha se rëndësi të madhe për rajonin ka edhe bashkëpunimin mes shteteve në kuadër të Procesit të Berlinit duke përmendur marrëveshjet e arritura.

“Mendoj se udhëtimi me karta identiteti, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e BE-së për të ndihmuar në problemet energjetike, paraqet një progres të rëndësishëm dhe etablimin e rajonit në një treg të përbashkët”, tha presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë