Loading…

Presidenca e Burrave

  • Nga

  • 05/12/2016 | 16:30

Presidenca e Burrave

Kosova në pesë vitet e fundit shpesh është marrë shembull për të mirë nga mediat nëpër botë kur ka qenë temë përfaqësimi i grave në politikë. Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe pas ardhjes së Hashim Thaçit në krye të shtetit. 


Me përfundimin e mandatit të Atifete Jahjagës, Kosova, nga një shtet që udhëhiqej nga një presidente, ka kaluar në një kabinet presidencial, i tëri me burra, dhe pa asnjë këshilltare grua.

Ish-lideri i PDK’së, Hashim Thaçi u zgjodh president i vendit në shkurt të këtij viti, në raundin e tretë, me gjithsej 71 vota të përfaqësuesve të popullit. Në mesin e atyre që i besuan votën Thaçit për president, kishte edhe gra. Mirëpo, përderisa Thaçi u përkujdes që të merrte votën e gjinisë tjetër në këtë garë, të njejtin kujdes nuk e tregoi edhe kur erdhi radha për të formuar kabinetin e tij të këshilltarëve.

Në takimet zyrtare që presidenti Thaçi zhvillon me personalitete të ndryshme në zyrën e tij, mund ta shihni edhe një grua. Por, ajo është vetëm zyrtare e protokollit, ndërsa këshilltarët i ka të gjithë burra.

Zyra e Presidentit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen se mbi çfarë baza presidenti ka bërë përzgjedhjen e këtyre këshilltarëve, si dhe a pritet emërimi i ndonjë këshiltareje grua në ekipin e tij.

Ata nuk janë treguar të gatshëm të përgjigjen përgjatë pesë ditëve që Gazeta Metro ka pritur për përgjigje.

Në anën tjetër, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive në Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës ka thënë për gazetën se presidenti nuk beson në barazi gjinore.

“Nuk ka besuar as kur ka qenë Kryeministër. Ai ka shfrytëzuar gratë për interesa të partisë sidomos në kohën parazgjedhore duke premtuar se do të rrisë numrin e grave në vendimmarrje.”, ka thënë Rogova tutje.

Ajo vazhdoi të flasë se si Thaçi nuk e ka mbajtur këtë premtim, gjë e cila shihet si arsye për të mos u çuditur me mungesën e grave këshilltare në kabinetin  e tij.

“Ai këtë premtin nuk e ka mbajtë. Prandaj nuk çuditem që në kabinet nuk ka asnjë grua këshilltare”, ka thënë ajo për Gazetën Metro.

Si mjaft shqetësuese këtë gjë e sheh edhe Besnik Leka, feminist si dhe pjesëtar i Care International.

Ai faktin që në Presidencë nuk ka këshilltare gra e sheh fatkeqësisht si pasqyrim i përfaqësimit të përgjitshëm të grave në institucionet e Kosovës.

“Lehtë mund të vërehet përfaqësim i ulët, osë thënë më drejtë mospërfaqësim i grave në pozitat vendimmarrëse. Gratë, sipas të dhënave demografike paraqesin gjysmën e popullësisë në Kosovë, e përkundër kësaj, përfaqësimi i tyre qëndron në disproporcion me atë të burrave.”, ka thënë Leka për Gazetën Metro.

Sipas tij kjo nënkupton që gratë me potencial, ende privohen nga mundësia që ta shfaqin këtë potencial dhe t’i shtyejnë përpara kërkesat e tyre. Poashtu sipas tij vendimet që merren pa dëgjuar zërin e gjysmës së popullatës, jo rrallëherë rezultojnë në vendime selektive dhe përjashtuese.

“Padyshim, ndikimi e rezultati që kjo situatë ka në shoqëri nuk i bën favor as institucioneve të konsoliduara për të mirën e gjithë popullatës e as shoqërisë. Në njërën anë, ofron përshtypjen tek publiku që gratë janë ‘të paafta’ për të marrë përgjegjësi të mëdha e për t’i kryer ato me sukses, e në anën tjetër mund të shkaktojë ndjenjë të inferioritetit tek vetë gratë, të cilat duke parë një ‘invazion’ burrash në pozitat e larta, mund të distancohen e të mos synojnë fare për ato pozita”, ka vazhduar Leka.

Ai poashtu ngriti një paralele në mes të kabinetit në kohën e Jahjagës dhe në atë të Thaçit, duke shtuar se është e dhimbshme që për “çudi”, gjinia e presidentit/es duket sikur e përcakton edhe përmbajtjen e kabinetit të tij apo saj.

“Kemi  presidenten Jahjaga që sikur filloi të krijojë një imazh barazitar në kabinetin e saj, por kjo gjendje nuk u mbajt pas largimit të saj e që mund të kuptohet sikur në Kosovë ende nuk konsiderohet si domosdoshmëri përfshirja e grave në politikë, gjegjësisht në vendimmarrje.”, tha ai.

Shteti i Kosovës, aty ku Thaçi ka qenë akter në të gjitha proceset, ka krijuar mekanizma që i sigurojnë grave përfaqësim nëpër institucione, siç është rasti me kuotën gjinore të përfaqësimit në Kuvend. Por, dihet se ky lloj legjislacioni ka qenë vazhdimisht kërkesë e faktorit ndërkombëtar në vend, ndërsa Thaçi vetë duket të ketë pak, për të mos thënë fare besim, që punën t’ua delegojë grave./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë