Marrëveshja për Reciprocitet të Plotë për Targat e Veturave mes Kosovës dhe Serbisë, ende nuk ka filluar të zbatohet sado që një gjë e tillë është paraparë të fillojë më 15 nëntor të këtij viti.
E përgjegjësinë për një vonesë të tillë e merr vetë shteti i Kosovës. Kështu së paku ka deklaruar ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Sipas saj, vonesat për një gjë të tillë janë krijuar nga procedurat administrative, të cilat lidhen me prodhimin e letërngjitësve. Për dështimin në fjalë ajo e ka fajësuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, megjithatë, kjo e fundit nuk ka dhënë ndonjë sqarim kur është kontaktuar nga “Zëri”.