Gurthemeli i vendosur në Zogaj të Vushtrisë, përpos të drejtës kushteuese dhe ligjore të garantuar të besimit, ka mesazh dhe qëllim afatgjatë.
Mendoj se është përpjekje për të ruajtur vazhdimësinë kulturore dhe shpirtërore e materiale të ditëve të para të krishterimit në Dardani, pjesë e pasurisë së përbashkët kulturore të Kosovës.
Flori dhe Lauri janë martirë të parë të krishterimit në Dardaninë antike.
Mendoj se është kjo betejë perpetuale e sacerdotëve dhe e idesë strategjike ta ruaj dhe rrikthei materien tek shtrati kulturorë: Platforma strategjike Euro-Atlantike, që konsiderohet si e ardhmja jo vetëm politike dhe e sigurisë, por e kultivimit të sistemit të përbashkët të vlerave me popujt e lirë.
Mendoj se ata që e luftojnë këtë qëllim, nuk kanë informacion, ose duan ta zhbëjnë bazamentin e hershëm shekullorë, për t’i lënë hapësirë idesë mohuese të këtij shtrati kulturorë dhe të ruajn monopolin dogmatik, shoqërorë dhe politik, derisa planifikojnë që për qëllime strategjike, Kosovën e me të shqiptarët t’i projektojnë si armiq të vlerave perëndimore- mohues të thekur që urrejnë çdo gjë perëndimore.
Kjo është vetvrasje! Vrasje e tabanit kulturorë shqiptarë, shmangje nga rrugëtimi Euro-Atlantik, ikje në errësirën historike të dogmës e cila po e asfikson, shëmton (po e vret ngadalë) konturën historike nacionale shqiptare.
Kjo është luftë kundër të kaluarës së argumentuar historike dhe së ardhmes shqiptare në Kosovë, por edhe në Maqedoni V., Serbi jugore, Mal të Zi.
Në këtë betejë Tirana zyrtare, Prishtina zyrtare kanë dështuar (janë joshur) karshi ofertave elektorale në vend dhe në vendet mike, relacionit të sforcuar me publikun, oportunizmit dhe konformizmit ndaj asaj që konsiderohet “vis maior”!
Vis maior do të duhej të jetë ruajtja e qenjes, jo në kontekstin e bukës tonë të përditshme, por si qenje kulturore, politike e shoqërore dinjitoze, kuptimplote, partner i respektuar.
Mendoj se në këtë temë ka dështuar Washingtoni zyrtarë, Londra, Brukseli, si kancelaritë tjera të cilat e kanë trajtuar rajonin me shpotitje në këtë temë.
Apo ata kështu e projektojnë të ardhmen e rajonit?
Në anën tjetër mendoj se qendra të aksit anti-Atlantik dhe anti-Evropian kanë investuar majm për ta sakatosur shtratin kulturorë shqiptarë, që njëherit shërben për t’a zbehur apo degjeneruar imazhin por edhe fuqinë vepruese politike të Kosovës e njëherit atë të vendeve ku jetojnë shqiptarët.
Deri më tani, e kanë bërë punën e tyre me sukses!