Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane (PPE) ka miratuar një deklaratë për Serbinë, në të cilën ka adresuar ngjarjet e fundit rreth varrimit në Beograd të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq.
Në deklaratë, PPE ka theksuar se pamjet dhe zhvillimet e shfaqura gjatë funeralit të Mladiqit nuk mund të injorohen gjatë procesit të rishikimit të statusit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) brenda PPE-së. SNS ka statusin e anëtarit të asociuar në këtë parti evropiane.
PPE ka rikujtuar se Mladiq është dënuar nga gjykatat ndërkombëtare për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke theksuar se këto krime nuk duhet të relativizohen, glorifikohen apo harrohen. Sipas deklaratës, mënyra se si u zhvillua funerali dhe pjesëmarrja e zyrtarëve serbë në të ngre shqetësime lidhur me respektimin e vlerave evropiane dhe procesin e pajtimit.
PPE ka bërë të ditur se zhvillimet rreth funeralit të Mladiqit do të merren parasysh në shqyrtimin e mëtejshëm të statusit të SNS-së. Megjithatë, deklarata nuk njofton për përjashtimin e SNS-së nga PPE, por tregon se ngjarjet e fundit do të jenë pjesë e procesit që po zhvillohet lidhur me statusin e saj.