Posta e Kosovës ka hapur një tender prej 200 mijë eurosh për furnizim me 63 motoçikleta, shkruan Gazeta Metro, shkruan Gazeta Metro.
Posta e Kosovës hapur një tender me vlerë të konsiderueshme financiare për furnizim me motoçikleta, duke planifikuar të shpenzojë plot 200 mijë euro për këtë projekt.
Sipas dokumenteve të tenderit, bëhet fjalë për furnizim me gjithsej 63 motoçikleta që do të përdoren për nevojat operative të këtij institucioni publik.
Kontrata parashikon një shumë totale prej 200,000 euro, ndërsa qëllimi i saj është përmirësimi i shërbimeve postare përmes rritjes së kapaciteteve të transportit në terren. Megjithatë, mënyra e përshkrimit të specifikimeve teknike dhe detajet e tjera të tenderit ngrenë pikëpyetje mbi konkurrencën dhe transparencën e këtij procesi.
Sipas Aneksit 1 të dokumentit, janë përcaktuar specifikime të detyrueshme teknike që operatorët ekonomikë duhet t’i përmbushin. Motoçikletat kërkohet të jenë me motor 4-stroke, me 2 valvula dhe sistem ftohjeje me ajër, me kubikazh prej 125 cc. Fuqia minimale e kërkuar është 6.0 kW në 6500 rpm, ndërsa çift-rrotullimi duhet të jetë të paktën 9.7 Nm në 5000 rpm.

Sa i përket sistemit të furnizimit me karburant, kërkohet injeksion, ndërsa sistemi i ndezjes duhet të jetë TCI. Motoçikletat duhet të kenë start elektrik dhe kickstarter, ndërsa emetimet e CO2 duhet të jenë në përputhje me standardin Euro 5+.
Në aspektin teknik të vozitjes, kërkohet që motoçikletat të kenë suspension të përparmë me teleskop dhe të pasëm “unit swing”. Frenat përpara duhet të jenë hidraulike me disk të vetëm, ndërsa ato të pasme mekanike me sistem drum. Pesha maksimale e motoçikletës nuk duhet të kalojë 115 kilogramë, ndërsa kapaciteti i rezervuarit të karburantit duhet të jetë minimum 5 litra.

Për më tepër, tenderi kërkon që motoçikletat të pajisen me ekran LCD dhe të kenë mundësi lidhjeje me telefon të mençur përmes sistemit “My Ride” ose të ngjashëm. Një tjetër kërkesë është edhe pajisja me “top case” të pasëm me kapacitet minimal prej 46 litrash, si dhe helmetë për vozitësin në madhësi XL. Ngjyra e kërkuar për të gjitha motoçikletat është e verdhë.
Sa i përket garancisë, operatori fitues është i obliguar të ofrojë garancion prej 36 muajsh nga momenti i liferimit. Brenda këtij afati duhet të përfshihet edhe asistenca rrugore pa kosto shtesë, si dhe një listë e detajuar e serviseve me çmime përkatëse për pjesët rezervë dhe mirëmbajtje gjatë periudhës garantuese.
Afati për liferimin e motoçikletave është përcaktuar të jetë 6 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës ose nga momenti i pranimit të urdhëresës nga Posta e Kosovës.

Një element tjetër i rëndësishëm në këtë tender është mënyra e deklarimit të çmimeve. Të gjitha ofertat duhet të jenë në euro dhe çmimi për njësi lejohet të shënohet me maksimum katër numra pas pikës dhjetore. Çdo ofertë që tejkalon këtë kufizim konsiderohet e papërgjegjshme dhe refuzohet.
Ky tender, ndonëse paraqitet si një investim në përmirësimin e shërbimeve postare, ngre dilema për shkak të detajeve të shumta teknike që mund të kufizojnë konkurrencën dhe të favorizojnë operatorë të caktuar në treg./gazetametro.net 