Për ta kuptuar strategjinë e vazhdimit të mbetjes të Albin Kurtit në pushtet, mendojeni vetëm se si e menaxhoi ai konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës me mandatet e fituara në zgjedhjet e 7 qershorit.
Shkëlzen Maliqi
Janë dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve ku fituesi nuk ndërmerrë pothuajse asgjë për të kapitalizuar fitoren. Një muaj e ca, kuptohet, thotë se duhet pritur çertifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, ndonëse në vendet tjera, kur është e qartë se kush është fitues, bisedimet për konstituimin e pushtetit të ri zakonisht fillojnë menjëherë, nuk luajnë shumë rol numri i saktë i mandateve, në të paktën fillojnë konsultimet me partitë tjera, maten pulset.
Albin Kurtin nuk e ka fare këto halle, ai është i kënaqun që po mbetet kryeministër në detyrë, e shfrytëzon çdo vaukum të këtillë të qeverisjes të pa-mandatuar ku qeveria në detyrë i ka kompetencat e reduktuara, për të marrë vendime të jashtëligjshme, ose të paktën të kontestueshme, për ndryshimin e bordeve të ndërmarrjeve publike, emërimet e kryeprokurorit të ri, përderisa për pesë vite, duke shkelur çdo normë dhe procedurë të ndarjes të pushteteve, e refuzonte mandatimin e një kandidati tjetër, që nuk e kishte për qejfi.
Gjatë vakumit të funksionimit “në detyrë” nga buxheti i shteti ndahen shuma të majme për kompanitë ajrore që transportojnë diasporën, si dhe për ekstra pagesa kategorive të votueseve për të cilët 100 euro shtesë është ndihmesë e madhe (pensionistët, studentët, gratë e papunësuara, shtesat për fëmijë…). është lista e gjerë të tejkalimit të kompetencave të cilat parimisht nuk i lejohet që qeveria në detyrë nuk ka drejtë që ti marrë, por për ato si duket nuk ka ndalesa dhe penalizime strikte.
Kjo kujdestari e detyrueshme të funksioneve bazë të qeverisë kur një qeveri i skadon mandati, do të duhej të përcaktohet më qartë me kushtetutë dhe akte ligjore, që to mos keqpërdoret siç e bën Kurti, por të destimulohet mbetja në pushtet me kompetenca të kufizuara, atëherë edhe Kurti do të lakmonte që sa më parë të sigurojë mandatin e plotë të ri, dhe jo të kënaqet me privilegjin e të qenit me muaj të tërë “kryeministër në detyrë” ku bën bash çka ia do qejfi, a shkon në simpoziume në Greqi, mbanë ligjërata në Londër, ore e qastë viziton kliubet e diasporës, arrinë të bëjë edhe udhëtime private në SHBA ku nuk takon asnjë zyrtarë të qeverisë amerikane…
Dhe në këtë dalldi të keqpërdorimit të zbrastirave detalizuese të regullativave ligjore, Kurti edhe kësaj here, pasi që u çertifikuan zgjedhjet e 7 qershorit, vazhdoj më avazin e vjetër, sepse e kishte afatin prej një muaj, deri në 7 gushtë, për ta mbajtur mbledhjen konstitutive të Kuvendit të ri. Dhe, çka boni lartmadhëria e tij në detyrë të përhershme të kryeministrit, e urdhëroi kryetaren në detyrë të Kuvendit, Albulena Haxhiun, që mbledhja konstituive e Kuvendit të mbahet me 6 gushtë, pra një ditë para skadimit të afatit, kur nëse dështon konstituimi, do të shkohet sërish në zgjedhje të parakohshme!? Pse jo më të paktën disa ditë më herët? Sepse, kështu i vë në sprovë partitë opozitare.
Me opozitën ka bërë dy takime thuajse sa për sy e faqe, pa u dakorduar për asnjë gjë konkrete, sepse edhe nuk i duhet marrëveshja, ai është fitues i zgjedhjeve, e ka të garantuar mandatin e ri, por ja që i pëlqen edhe qeverisja “në detyrë” për të cilën askiujt nuk i jep përgjegjësi, dhe nuk i bëhet atij vonë asgjë, le të mendojnë partitë opozitare për pasoja, mos të kërkojnë më shumë seç u takon, le të bëhen copë e grimë përbrenda, siç ka gjasa të ndodh me LDK-në, dhe të shohim se me çfarë do të dalin ato me 6 gushtë, a do ta kanë ndonjë kandidatë që do të marrë përkrahje më të gjerë, jo për drejtuesit e Kuvendit të ri, aty s do të ketë probleme, por për President-e, aty është sërish halli, Kurti s’ka pas kohë që të merret me këtë çështje, edhe pse i ka zbut fjalët dhe po thotë se përgjegjësia më e madhe i takon partisë fituese që të propozohet një kandidat koncesual, por se ka luajt gishtin për këtë nga Greqia a ku e ka kaluar kohën këtyre javëve.
Do ta shohim ditën e 6 gushtit se çka do të ndodhë, a mundet Kuvendi me i krye të gjitha obligimet pa marrëveshjet paraprake, për të cilat nuk po ka asnjë paralajmërim, më shumë kemi shenja bllokade, PDK-ja tani po e luan rolin e LDK-së që pas 9 shkurtit të vitit 2025 e kishte Abdixhiku që tha “LDK mbetet në opozitë”. Tani PDK-ja mbetet në opozitë, dhe Kurti as me LDK-në nuk do t’i ketë votat për me e zgjedh president-in/en, dhe i gjithë procesi do të kthehet mbrapa. A po na pret edhe një cikël zgjedhjesh në vjeshtë?
Dha Kurti, nga rehatia e tij e kryeministrit të përhershëm, se ka dert, madje shpreson se do ta fitojë edhe një herë betejën e fajësimit, se kush po e shkakton bllokadën, sepse thoshte “opozita ka faj sepse nuk po e respekton vullnetin e sovranit”.
Ky do të jetë me gjasa skenari i seancës të Kuvendit me 6 gusht.
Pos, nëse emisarët ndërkombëtarë nuk e kanë shtrënguar kësaj here Kurtin më fortë se herëve tjera, që të përfundojë këtë lojën e tij të blerjes së kohës duke mbetur gjithnjë në pushtet që e kënaq vetëm ambiciet e tij personale, por Kosovës i pamundësohet zhvillimi normal. Mirëpo, s’ka besë më as te ndërkombëtarët.
Por, është edhe një e panjohur tjetër, që mund ti befasojë të gjithë dhe mbase e shqetëson edhe Kurtin. Si do të votojë populli? Elektorati ka treguar shenja të lodhjes edhe më 7 qershor. Çka nëse Kurtin e pret edhe një trend të uljes së përkrahjes? Më 7 qershor i ka pas 104 mijë vota më pak se me 28 dhjetor të vitit 2025. Edhe partitë tjera kanë pas ulje, por më pak. Zbutja relative e Kurtit ndoshta ka lidhje me këtë, se sa ka me qenë i bindshëm që edhe një herë t’i nxjerr partitë opozitare shqiptare si fajtore për bllokadat. Edhe populli i Kurtit ka nisur të hutohet dhe luhatet.
Po, opozita është bërë vërtet bajate, por edhe Kurti është bërë i parashikueshëm në lojrat e tija meskine.