Loading…

Politikë e turpshme me viktima

  • Nga

  • IMER MUSHKOLAJ

  • 21/11/2020 | 09:11

Politikë e turpshme me viktima

Një i mbijetuar i masakrës së Krushës së Madhe po “masakrohet” në Tiranë, si pjesë e fushatës parazgjedhore. Në Prishtinë të pagjeturit po përdoren për poenë politikë. Gërditshëm dhe turpshëm. Në Serbinë e Vuçiqit, ndërkaq, po hapen varreza të reja me trupa shqiptarësh


Shkruan: Imer Mushkolaj

Ishte fort zhgënjyese të dëgjosh deputetët e Kuvendit të Kosovës, të enjten, teksa bënin luftë – njëzet vjet pas luftës – për poenë politikë, duke përdorur tragjedinë e personave të pagjetur dhe fatkeqësinë e familjarëve të tyre. Duke marrë merita për partinë e vet e duke sharë e akuzuar të tjerët, ata për orë të tëra shpërfaqën realitetin e hidhur – se sa ka bërë shteti dhe shoqëria kosovare për të zbardhur fatin e qindra njerëzve, familjet e të cilëve presin në ankth.

U tha e ç’nuk u tha në foltoren e Kuvendit për ato që janë bërë e duhet të bëhen, por është e dhimbshme të mendosh se të pagjeturit po shërbejnë si monedhë kusuritjeje ndërmjet partive politike, ndërkohë që fati i tyre do të duhej të ishte prioritet mbi prioritete.

Më se dy dekada pas luftës e gati një dekadë pas fillimit të bisedimeve me Beogradin, varreza të tjera me trupa shqiptarësh po gërmohen në Serbi, e narrativa e asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë po ndryshon. Jo me fajin e Beogradit, sa me fajin dhe papërgjegjësinë e pjesës më të madhe të klasës politike në vend.

Aleksandër Vuçiq e Ivica Daçiq kanë qenë pjesë e regjimit të Slobodan Milosheviqit, pjesë e aparatit shtetëror kriminal që kreu masakra të tmerrshme në Kosovë. Por, përkundër kësaj, Kosova dialogoi dhe po vazhdon të dialogojë me ta, pa më të voglin kushtëzim sa i përket të pagjeturve. Për më keq, kjo çështje u trajtua si teknike dhe nuk u vu në tavolinën e bisedimeve si prioritare për të marrë përgjigje.

Për gati një dekadë Vuçiq e Daçiq u paraqitën si paqësorë dhe të gatshëm të gjejnë zgjidhje, ndërkohë që në territorin e shtetit të tyre vazhdonin të fshihnin kufoma shqiptarësh. Dialogu vazhdonte, marrëveshjet nënshkruheshin, e Beogradi i mbante peng eshtrat e civilëve të pafajshëm. Në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq, të zgjedhurit e popullit bëheshin pjesë e një maskarade. Qesharake sa s’ka, po të mos ishte e dhimbshme fort.

* * *

Lufta dhe viktimat e saj nuk kanë lënë pa u kthyer në monedhë kusuritjeje edhe në Shqipëri. Tash sa ditë atje ka plasur debati për rolin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në kohën e luftës dhe pasluftës në Kosovë.

Milaim Bellanica, i mbijetuar i masakrës së Krushës së Madhe pretendon se e ka xhiruar këtë krim dhe kasetën me incizime ia ka dhënë Bashës, në atë kohë zyrtar i Tribunalit të Hagës. Sipas tij, BBC ka transmetuar vetëm dy minuta pamje, por kaseta, përkundër kërkesave të vazhdueshme dhe takimit me Bashën, nuk i është kthyer asnjëherë.

Bellanica, viktimë e masakrës, është kthyer në “mish për top” për pushtetin, opozitën dhe mediat në Shqipëri. “Masakrimi” i tij ka mbërritur në atë pikë, sa ish-kryetari i PD’së, Sali Berisha, e ka quajtur të çmendur dhe që punon për llogari të Serbisë. Pra, në vend që Basha të jep një përgjigje për pretendimet e Bellanicës, po bëhen përpjekje të gërditshme që ai të shpallet i çmendur dhe i paguar nga kushedi kush për pretendimet e tij.

E turpshme të shohësh se si një ngjarje e tmerrshme si masakra e Krushës së Madhe dhe një i mbijetuar i kësaj masakre, si Bellanica, po përdoren për fushatë zgjedhore në Shqipëri, po përdoren për qërim hesapesh ndërmjet oponentëve politikë. Pa fije turpi po bëhet politikë me viktima. Milaim Bellanica, viktimë e regjimit serb, po “masakrohet” sërish – kësaj radhe në Tiranë.

Ky njeri që pa tmerrin me sy dhe ia doli ta xhirojë në shirit filmik po kërkon vetëm përgjigje se çfarë ndodhi me kasetën e tij, me pamjet që dokumentonin krimin e Slobodan Milosheviqit, ai nuk ua ka borxh as partisë në pushtet, as opozitës, e as një pjesë të mediave në Shqipëri që ta trajtojnë në mënyrë mizore, madje edhe ta shpallin të çmendur. Të bëjnë politikë me një viktimë krimi.

* * *

Në gjithë këto vite pas luftës, politikë me viktimat ka bërë Beogradi. Ish-anëtarët e aparatit shtetërore të Milosheviqit, “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ia kanë dalë që para botës të paraqiten si paqësorë e demokratë, pavarësisht se vazhdojnë të fshehin varreza masive me trupa shqiptarësh. Jo për fajin e tyre, sa për fajin e të gjithë atyre udhëheqësve politikë të Kosovës, që denjuan të bisedojnë e arrijnë marrëveshje me ta, pa ua kushtëzuar të paktën me kthimin e eshtrave të shqiptarëve.

Milaim Bellanica është vetëm një ndër viktimat – simbol i krimit shtetëror serb, që po zvetënohet përballë luftës për poenë politikë në Prishtinë e Tiranë. Gërditshëm dhe turpshëm.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë