Policia e Novi Sadit ka arrestuar katër të dyshuar për rrahjen e dy të rinjëve shqiptarë të dielën në mëngjes, ku njëri kishte pësuar lëndime të rënda në kokë që i kishin rrezikuar edhe jetën.
Gazeta serbe Kurir bën të ditur se pas një hetimi intensiv disa orësh, policia ka arritur të identifikojë sulmuesit e dy të rinjëve, dhe me këtë rast ka arrestaur katër të dyshuar, përcjell gazetametro.net.
Në këtë aksion policia raportohet të ketë gjetur edhe rrobat që sulmuesit kishin pasur veshur gjatë sulmit, gjë që thuhet se do të ndihmojë policinë për vazhdimin e hetimit.
Ky sulm thuhet të ketë qenë i nxitur në baza kombëtare, pasi dy të rinjtë ishin sulmuar vetëm pse ishin dëgjuar duke folur shqip. Ata janë nga Prizreni, dhe kishin shkuar në Novi Sad për të punuar.
Njëri nga dy 19 vjeçarët, Çlirim Maloku, kishte pësuar lëndime shumë të rënda, pasi gjatë sulmit kishte rënë me kokë në asfalt. Kjo i kishte shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe mjekëve të qendërs klinike në Novi Sad u ishte dashur një operacion dhe trajtim i gjatë për të ja shpëtuar jetën djalit të ri që kishte lindur në vitin 1999, vit kur ishte çliruar Kosova nga Serbia. /gazetametro.net