Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe municion gjatë kontrollit në dy stane në bjeshkën e Junikut në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri.
Kontrolli në dy lokacionet në bjeshkë është realizuar pas pranimit të informatave nga tereni dhe dyshimeve për armëmbajtje të paligjshme e të shtëna me armë zjarri.
Pas një pune operativo-hetimore, policia ka zbuluar se bëhet fjalë për dy shtetas kosovarë me iniciale Xh.M dhe Sh.R., të cilët posedojnë armë dhe ato i mbajnë në stanet e tyre në bjeshkë, konkretisht në vendin e quajtur Pllaçica e Junikut.
Ndërsa sot me urdhër të Gjykatës kompetente, në orët e hershme të mëngjesit është realizuar plani operativ i koduar “Bjeshka 2022”, ku është bërë bastisja në dy stanet e lartcekura në bjeshkën e Junikut dhe në të dy lokacionet janë gjetur dy armë AK-47 (kallashnikovë), 25 copë fishekë të kalibrit 7.62mm dhe tre karikatorë për armë AK-47.
I dyshuari i parë Xh.M., pas intervistimit nga policia me urdhër të prokurorit të rastit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari i dytë nuk ka qenë prezent gjatë bastisjes dhe i njëjti është ftuar për intervistë nga hetuesit kompetentë për procedurë të mëtejme.