Policia e Shtetit në Shqipëri ka pezulluar nga detyra katër efektivë dhe shefin e Rendit në Komisariatin Nr. 1, nënkomisar F. K., pas publikimit të videos ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i cili kishte këmbën e thyer dhe po shoqërohej nga policia pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital.
Sipas Policisë së Shtetit, janë nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën se si është trajtuar i riu nga efektivët.
Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj pesë zyrtarëve policorë, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka filluar hetimet për rastin.
Gjithashtu, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është ngritur një grup i posaçëm nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, i cili do të shqyrtojë veprimet e punonjësve të policisë nga fillimi deri në përfundim të protestës, si dhe respektimin e procedurave standarde të punës.
Policia ka bërë të ditur se çdo punonjës që ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.