Policia e Kosovës ka njoftuar se do të shtojë kontrrollet gjatë festave dhe nuk do të tolerohen ata që përdorin armë dhe piroteknikë.
Përmes një njoftimi për media Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe këtë fundvit përmes planeve operacionale të veçanta, do të kujdeset për mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend, shtimin e pranisë policore në rrugë, menaxhimin dhe kontrollin e rrjedhës në trafik, si dhe monitorimin e masës së qytetarëve të cilët dalin në rrugë, sheshe apo lokacionet tjera të hapura, për festime apo pritjen e ndërrimit të moteve.
Duke marrë parasysh që si rezultat i festimeve të fundvitit kemi edhe rritje të intensitetit të njerëzve dhe automjeteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, veçanërisht në këtë periudhë kur kemi edhe ngrica në rrugë gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, që të jenë sa më të kujdesshëm, të iu përmbahen rregullave që dalin nga ligji mbi komunikacionin rrugor për respektimin e shpejtësisë, të mos vozisin nën ndikim të alkoolit, të shmangin përdorimin e telefonit celular gjatë vozitjes etj, në mënyrë që të evitojnë aksidentet në trafik, e gjithashtu në këtë mënyre të kontribuojnë për një siguri edhe më të madhe për veten e tyre dhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacion.