Policia e Kosovës ka bastisur edhe tri lokacione për bixhoz të paligjshëm në Komunën e Gjilanit, ku janë konfiskuar dy aparate të lojërave, shtëpiza kompjuterike, TV-plazma, shtypës të tiketave, shkruan Gazeta Metro.
Policia në Gjilan ka treguar se është njoftuar Prokuroria e Shtetit me autorizimin e së cilës është realizuar njëkohësisht bastisje në të tri lokacionet e dyshuara. Gjatë bastisjes në tri lokale janë gjetur prova të pakontestueshme se brenda këtyre lokaleve janë organizuar veprimtari të kundërligjshme-lojëra të fatit.
“Gjatë bastisjes në cilësi të provave janë konfiskuar dy aparate të lojërave, shtëpiza kompjuterike, TV-plazma, shtypës të tiketave etj. Në lidhje me këtë në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar dy persona M.K.SH, dhe gjatë intervistës me ta është vërtetuar se janë pronar të lokaleve përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me vendim të Prokurorit dy të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë. Rasti procedohet./gazetametro.net