Policia e Kosovës ka arrestuar sot Shefin e Divizionit për Rishqyrtim dhe Ankesa në Bankën Qendrore, Agon Ramadani.
Siç edhe raportoi Gazeta Metro më herët, Policia e Kosovës konfirmon se ai është arrestuar pasi ka falsifikuar diplomën universitare për t’i siguruar vetes pozita udhëheqëse.
“Sot më 23 nëntor 2018, Policia e Kosovës, respektivisht hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe korrupsionit pas hetimeve të zhvilluara lidhur me dyshimet për veprat penale “Falsifikim i Dokumenteve ” dhe “Legalizimi i përmbajtje së rreme” kanë arrestuar personin e dyshuar me iniciale (A.R. viti i lindjes 1970)”, shkruan në komunikatën e Policisë.
“I dyshuari i lartë përmendur dyshohet se që nga viti 2008, ka përdorur diplomën e falsifikuar universitare për t’i siguruar vetes pozita udhëheqëse në një institucion”.
“Me aktvendim të prokurorit kompetent të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha dukurive negative, veprave penale dhe në veçanti luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gazeta Metro mëson se i arrestuari është vëllai i Hetem Ramadanit, i njohur për opinionin si nutricist i cili pretendon se mund të shërojë sëmundje të rënda përmes dietave. /gazetametro.net