Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës. Në protestën e të premtes, për policinë Basha ka bërë thirrje nxitëse ndaj qytetarëve që të reagojnë dhunshëm ndaj institucioneve shtetërore. Ndërkohë protesta e opozitës ka hyrë në ditën e saj të 8-të dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha shprehet i vendosur se nuk do të ketë zgjedhje me këtë qeveri.
“Nuk ka e nuk ka për të patur zgjedhje fasadë në këtë vend. PD dhe opozita është e vendosur t’i shkojë deri në fund vendimit qytetar, zgjedhje për të kaluar radhën, fasadë, me këtë kryeministër, me këtë qeveri nuk ka për të pasur”, tha Basha. Ai shprehu vendosmërinë për të përmbysur qeverinë, duke thënë se ky është fundi i misionit të tyre, “të varrosin republikën e vjetër”. Basha vijoi më tej duke thënë se opozita nuk do të kthehet në Parlament, pasi sipas tij është “parlamenti i krimit, ku janë ulur kriminelët dhe e kanë vendin ata që i sollën aty”.