Stacioni Policor ‘Jugu’ Prishtinë gjatë ditës së  martë është vizituar nga delegacioni i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.
Delegacioni vizitoi hapësirat e stacionit policor dhe kushtet e punës që ofron ky stacion, të cilat vlerësohen se nuk janë të mjaftueshme për plotësimin e nevojave të punës së punonjësve policor të stacionit policor “jugu” në Prishtinë.
Sipas kumtesës, Policia e Kosovës vite me radhë ka ngritur këtë shqetësim të mungesës së hapësirës dhe kushteve të punës në këtë stacion policor, si dhe për vite me radhë ka bërë planifikime buxhetore për ndërtim të këtij stacioni policor, për të cilin nuk është e definuar çështja e pronësisë ekzistuese nga institucionet kompetente, e as nuk është caktuar ndonjë lokacion adekuat nga Komuna e Prishtinës.
PK ka disa vite që ka adresuar disa kërkesa në Komunën e Prishtinës për të kërkuar caktimin e një hapësire për ndërtim të këtij stacioni policor, por ende nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete te një lokacioni adekuat.
Në një gjendje jo të mirë me objekt pune dhe kushte pune, është edhe stacioni policor “Veri” në Prishtinë, i cili po ashtu ka nevojë për një objekt dhe hapësirë pune më të mirë./gazetametro.net