Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka përshëndetur platformën e përbashkët të arritur mes partive parlamentare shqiptare në Maqedoni, e cila është arritja më e madhe e shqiptarëve në vitet e fundit në Maqedoni.
Hoxhaj tha se gatishmëria e liderëve shqiptarë në Maqedoni për të dalë me një platformë të përbashkët është sinjali më i mirë për fillimin e një etape të re të përfaqësimit të denjë të interesave shqiptare në Maqedoni.
“Platforma e përbashkët duhet të synoj të përmbush qëllimet bazike të shqiptarëve në Maqedoni sikurse arritja e barazisë etnike si element shtetformues, dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe që nënkupton arritjen e barazisë gjuhësore. Veç kësaj, kjo platformë duhet të arrijë barazinë ekonomike, që ka të bëjë me shpërndarjen e buxhetit si dhe me punësimin e shqiptarëve në administratën publike”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, “arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap shumë domethënës në përfaqësimin e denjë të interesave të shqiptarëve në Maqedoni. Zbatimi i kësaj platforme do t’i kontribuojë mirëqenies dhe stabilitetit të Maqedonisë, sundimit të ligjit, dhe të ardhmes euroatlantike të saj”.
Po ashtu, platforma duhet të adresoj çështjen e emrit dhe të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë. Kjo platformë bëhet publike vetëm dy ditë pas takimit që Presidenti Thaçi dhe ministri i Jashtëm Hoxhaj patën me krerët e partive shqiptare të Maqedonisë në Prishtinë.
Para dy javësh, liderët u takuan edhe në Tiranë me Kryeministrin Rama dhe ministrin Bushati.