Në disa ditët e fundit, një mur është ngritur në anën veriore të Mitrovicës, afër lumit Ibër. Por, plan konkret për ndërtimin e mureve të tilla që do të ndanin edhe fizikisht pjesën veriore të Mitrovicës kishte pasur edhe para 15 vitesh, raporton KlanKosova.
Një plan i hartuar nga ndërkombëtarët në vitin 2001 parashihte ndërtimin e katër mureve ndarëse pranë urës mbi lumin Ibër, në anën veriore të qytetit, transmeton Gazeta Metro.
Sipas këtij projekti, muri i parë me grila ishte parashikuar të shtrihet nga dega e Ibrit deri te pjesa e prapme e Hallës së Sporteve, ndërkohë që muri i dytë do të fillonte te Halla e Sporteve dhe do të përfundonte në fillim të urës, duke e lënë urën të hapur. Muri i tretë ishte paraparë të fillonte nga cepi tjetër i urës deri te qendra e kulturës, për të nisur muri i katert që do të perfundonte te dega e Ibrit.
Muret ishin planifikuar të ndërtoheshin 2 metra e gjysmë të lartë, me trashësi 20 centimetra dhe gjatësi 35 metra secili. Vendimin për katër muret e kishte nënshkruar komandanti i atëhershëm i KFOR-it për Veri, Erich Arnaud dhe i ishte dërguar më 7 maj 2001 shefit rajonal të UNMIK-ut, Gerald Fisher. /gazetametro.net