Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se nesër organizohet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 18 dhjetorit për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, si dhe për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit, shkruan Gazeta Metro.
Tërheqja e shortit bëhet në ndërtesën e KQZ’së, me fillim nga ora 09:00.
Ndërkaq kujtojmë që Policia e Kosovës kanë treguar se sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.
Siç thuhet në komunikatën e PK-së, në disa zona në Zubin Potok dhe në Veri të Mitrovicës janë regjistruar disa incidente, e që sipas policisë dyshohet të jenë shkrepje armësh dhe shpërthime.
Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposavic dhe Zveçan, të gjitha këto komuna, të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit.
Ata kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar dhe ka udhëhequr komunat në veri – i kundërshton këto zgjedhje./gazetametro.net