Loading…

Përkrahësi i Albin Kurtit: Kërkesa e Thaçit për Luginën, ide largpamëse

  • 07/08/2018 | 23:57

Përkrahësi i Albin Kurtit: Kërkesa e Thaçit për Luginën, ide largpamëse

Presidenti Hashim Thaçi ka marr shumë kritika për idenë e tij të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, duke u shikuar si ide për shkëmbim të territoreve, edhe pse Thaçi po thotë se nuk po e kërkon këtë, por vetëm bashkimin e Luginës me Kosovë. Megjithatë, për këtë ide, atij i ka ardhur një mbështetje nga një mbështetës i Albin Kurtit, gjë që duket e pazakontë.


Shqiptar Oseku, idenë e Thaçit për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën e ka cilësuar si ide shumë largpamëse. Ai thotë se kjo ide është shumë e mirë në procesin negociator me Serbinë, pasi figurativisht asaj i kthehet pushka, duke ‘luftuar flakë me flakë’. Sipas Osekut, kërkesa e Thaçit e kundërpeshon kërkesën maksimaliste të Serbisë për marrje të veriut, përcjell gazetametro.net.

Oseku për këtë mbështetje idesë së Thaçit ka marr kritika, por ai është përgjigjur duke thënë se Thaçi nuk është i preferuari i tij, dhe kjo ka thënë se dihet. Ai e ka ritheksuar se preferon 24/7 Albin Kurtin si president, por kjo sipas tij nuk çon peshë, pasi është presidenti Thaçi ai që do të iu prijë negociatave, dhe ai po përkrah një ide që i ndihmon Kosovës në procesin negociator me Serbinë.

Lexoni të plotë statusin e Osekut ku përkrah kërkesën e Thaçit për bashkim të Luginës me Kosovën:

Të them nga del shpirti, kërkesa maksimaliste e Kosovës që përfshin edhe Luginën e Preshevës është shumë largpamëse. Ajo kundërpeshon perfekt kërkesën maksimaliste të Serbisë, e cila kërkon Anschluss të veriut si pagë për një mënyrë të re të mosnjohjes.

Akuza cinike se ky pozicionim gjoja cenon tërësinë territoriale të Kosovës nuk qëndron. Tërësinë territoriale të Kosovës e cenon kërkesa serbe për Anschluss. Ndërsa kundëroferta kosovare ia kthen pushkën Serbisë flakë për flakë, duke cenuar tërësinë territoriale të shtetit serb.

Nëse Serbia s’e paska problem t’u kërkojë hise tjerëve. Ahere pse të mos i lypin tjerët hise Serbisë? Pse, vetëm serbët qenkan njerëz? Vec Serbia paska minoritete gjetkë?

Gjer sot ne cdo negociatë është diskutuar vec territori i shtetit të Kosovës. Negociatat me kosovarë kanë qenë si të qëllosh me dyfek peshq të zënë në fuci: dicka do të nxirrje patjetër. Dua të përsëris, që të shmang cdo ekuivok a keqkuptim: ky ndryshim tektonik, i cili prek 9 shkallë Richter, përbën avansim strategjik për ne.

Unë për vete s’kam dyshim se ky ripozicionim i urtë fillestar është kryer në dakordim me miqtë tanë amerikanë në State Department. Nëse të kujtohet, ishte ambasada amerikane në PR që hapi së pari këtë derë.

E pra gjer sot, kjo derë ka qenë e mbyllur me shtatë dryrë nga parimi i pacenueshmërisë së sovranitetit shtetëror — i cili vlen vetëm për shtete të njohura ndërkombëtarisht. Në rastin tonë, pra, ky parim gjer tash ka mbrojtur njëanshëm vetëm Serbinë.

Ne do të duhej të ishim të gëzuar që amerikanët braktisin një shenjtore të së drejtës ndërkombëtare, e gurthemel të politikës së tyre të jashtme, për hir të Kosovës. Por si rëndom, jemi tepër qorra, të pasigurt e të përcarë, sa nuk kuptojmë as kur na resh një bekim nga lart.

Sa u përket negociatave si negociata, me këtë raport ekzistues të fuqisë midis palëve, start më të mirë se ky i riu nuk gjen dot, edhe po ta kërkosh me qiri e pishë — pikë, fund.

Të jem kristal i qartë: ky ripozicionim nuk është pa probleme. Ekziston p.sh. një imperativ i mprehtë moral & etik tash kur përmendim shqiptarët në Luginë të Preshevës, që Kosova të mos i djegë ata si kartë vec për interesa të vetat.

Ka një rregull të artë të etikës, që thotë se nuk bën t’u qasesh njerëzve si mjete për të arritur qëllime tuat, por vetëm si qëllim në vetvete. Këtë rregull e shpërfillin vetëm psikopatët. Shqiptarët e Luginës janë pjesa më e dhimbsur e kombit, që kanë sakrifikuar pamatshëm për ne tjerët, por janë braktisur gjer sot në fund të pusit nga të gjithë.

Prishtina thjesht s’guxon kurrë e kurrës të sillet me shqiptarët e Luginës si psikopat, ashtu sic është sjellur Beogradi me serbët e Kosovës.

Problemi i dytë i këtij ripozicionimi strategjik është, se negociimi në këtë nivel kërkon koncensus të fortë politik. Bëhet fjalë për një kundërshtar që e di fort mirë se c’është vënë befas në lojë.

Lugina e Preshevës kontrollon vijën e komunikimeve Beograd-Shkup. Ky qe shkaku pse e shkëputi Tito nga Kosova në fund të viteve 1950, e ia anektoi Serbisë. Poashtu, Lugina i vë nën rrethim efektiv enklavat serbe në veri të Kosovës: atë ditë që Kosova fiton Luginën, atë ditë Serbia i humbet enklavat përfundimisht.

Ky është një ogur i tmerrshëm për Beogradin, të cilët, për ta ndalur këtë plan, sot për sot mund të llogarisin vetëm në ndihmën e shqiptarëve.

Që thua ti, ashtu sic llogarisin miqtë tanë amerikanë se kjo kërkesë do ta ndal hovin e palës serbe, duke shkaktuar përcarje e dobësim negociator. Ashtu llogarit sot dhe qeveria në Beograd se shqiptarët e përcarë kronikisht nuk bashkohen dot rreth kësaj pozite të re, e shumë të rrezikshme për Serbinë.

Diplomacia serbe e di se amerikanët, për arsye të politikes së vet të jashtme, munden vec ta miratojnë, por jo edhe ta shtyjnë dora vetë këtë agjendë. Nëse shqiptarët nuk bashkojnë radhët, Serbia shpëton kokën.

Unë në këtë dritë e shoh dhe reagimin e Sali Berishës, asetit të vjetër të Serbisë në Tiranë.

Uroj që forcat politike në Prishtinë të kuptojnë seriozitetin e situatës. Është ora e fundit të krijojmë një koncensus politik. Nëse krerët në Prishtinë — flas për të gjithë pa dallim — vazhdojnë të sillen si lukuni hienash që kafshojnë njëra-tjetrën, do t’i pret ai fund i dhimbshëm që i ndjek hienat gjithmonë. Do të ndiqen nga luani, e do të shqyhen pastaj mes vete për të lëpirë eshtra coftinash.

Ju lutem bashkohuni, sa s’është vonë. Serbët, që kanë shtyrë gjithnjë lojëra territoresh, kanë rënë në grackën e vet.

Rast më të mirë s’kemi për të pasur kurrë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë