Sot është dita e fundit kur subjektet politike të regjistruara në Kosovë duhet të informojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme, si dhe për mundësinë e krijimit të koalicioneve parazgjedhore, transmeton Gazeta Metro.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se ky detyrim përfshin gjithsej 53 parti politike që janë aktualisht të regjistruara dhe aktive në sistemin zgjedhor.
“Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë, janë të obliguara që në një afat prej 7 ditësh, pra nga 1 maji deri më 7 maj, të njoftojnë KQZ-në, për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ky obligim vlen vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike në Kosovë, pra jo edhe për subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur”, njoftoi Elezi për Klan Kosova.
Ai shtoi se deri më 7 maj, partitë kanë mundësi të deklarojnë edhe bashkimin në koalicione zgjedhore.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 7 maj 2026. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe sipas ligjit, partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar derisa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, tha ai./gazetametro.net