Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj A.M, i cili është i lidhur me rastin e familjes Kqira nga Prizreni, dhe tash mbi të njëjtin rëndon akuza e përfitimit të 200 mijë eurove me haraç.
Siç njofton Prokuroria, mbi A.M rëndon akuza e kryerjes së veprës penale ‘Detyrimi’ lidhur me veprën penale ‘Shantazhi’ të kryera në vazhdim, shkruan gazetametro.net.
Sipas aktakuzës, A.M kishte detyruar të dëmtuarin P.G t’i blejë veturë dhe t’i jep të holla të gatshme, sipas kushteve që vetë ai i ka caktuar.
‘Vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës së gjatë kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin P.G. që t’i jep të holla të gatshme dhe t’i blej vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar. Në këtë mënyrë i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mije euro. Me këto veprime i pandehuri A.M. ka kryer veprat penale’, thuhet në aktakuzë.
Ndërkohë, Prokuroria e bën evident lidhjen e këtij pesoni me familjen e njohur Kqira nga Prizreni, të cilët po gjykohen për krim të organizuar, fajde, detyrim, shpëlarje të parave, organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm si dhe të armëmbajtjeve pa leje./gazetametro.net