Këngëtari dhe aktori i njohur francez, Patrick Bruel, është marrë në pyetje nga policia franceze në kuadër të një hetimi për dhunë seksuale, pas akuzave të ngritura nga disa gra. Sipas mediave franceze, ai ndodhet në paraburgim që nga mëngjesi i së hënës, ndërsa procedurat po zhvillohen në ambientet e Policisë Gjyqësore në Paris, përcjell Gazeta Metro.
Prokuroria e Nanterres ka bërë të ditur se hetimi aktual përfshin të paktën 13 viktima të identifikuara deri më tani. Në total, rreth 30 gra kanë akuzuar artistin për përdhunim, tentativa përdhunimi, sulme seksuale dhe ngacmime, akuza të publikuara ndër vite nga media të ndryshme franceze dhe belge.
Sipas autoriteteve, hetimi fokusohet fillimisht në denoncimet e tre grave që e akuzojnë Bruel për sulme seksuale dhe tentativa përdhunimi gjatë periudhës 1997–2001. Gjatë hetimeve janë identifikuar edhe viktima të tjera, të cilat kanë raportuar ngjarje të ngjashme në Francë dhe Belgjikë.
Ndër rastet që po shqyrtohen përfshihen akuza për tentativa përdhunimi në Acapulco në vitin 1997, në Monako në vitin 2000, si dhe denoncime të tjera që lidhen me ngjarje të viteve 2001, 2002, 2003 dhe 2012. Së fundmi, dosjes i është shtuar edhe një denoncim zyrtar nga autoritetet belge, që lidhet me një grua 40-vjeçare e cila pretendon se është dhunuar seksualisht në Bruksel në vitin 2010.
Avokatët e Patrick Bruel kanë deklaruar se klienti i tyre ka qenë i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë dhe se do të paraqesë të gjitha provat e nevojshme për të dëshmuar pafajësinë e tij. Ata theksojnë se artisti i mohon kategorikisht akuzat.
Sipas ligjit francez, Bruel mund të mbahet në paraburgim deri në 48 orë, pas së cilës autoritetet do të vendosin nëse do ta lirojnë apo do ta paraqesin para një gjykatësi.
Ndërkohë, për shkak të situatës, artisti ka anuluar një pjesë të madhe të turneut të tij të planifikuar për këtë verë. Gjithashtu janë anuluar paraqitjet e tij në disa festivale dhe shfaqje teatrore, ndërsa disa koncerte të planifikuara për vjeshtë mbeten ende në program./gazetametro.net