Kundërshtimi i 6 deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për votimin e Bekim Sejdiut për president ka bërë që kjo parti të ndahet në dy grupe, ashtu siç po thuhet, grupi i Lumir Abdixhikut dhe grupi tjetër, shkruan Gazeta Metro.
Të hënën mbrëma në intervista dolën 4 nga deputetët e LDK-së, kështu duke bërë që pothuajse në të gjitha mediat të flitet për partinë më të vjetër në vend.
Gjatë të hënës pati deklarata edhe për kryetarin e ri të LDK-së, ndonëse zgjedhjet e reja në këtë parti janë planifikuar të mbahen në shtator ose në nëntor të 2027-s.
Vetëm Hykmete Bajrami tha se do të kandidojë për kryetare të kësaj partie.
“Nëse ka garë fer dhe të hapur, unë do të jem njëra prej kandidateve”, tha ajo të hënën në Rubikon të Klan Kosovës.
Ndryshe nga Bajrami u deklarua Avdullah Hoti, i cili tha se kryetar i LDK-së do të jetë Kujtim Shala, ndërsa kandidate për kryeministre nga kjo parti Hykmete Bajrami, ndonëse kjo e fundit tha se një gjë të tillë nuk e pranon.
“Dua ta them publikisht se si unë e mendoj lidershipin e ardhshëm të LDK-së, me të cilin ne do të përballemi suksesshëm në zgjedhjet e radhës. Duke zgjedhur një lidership, një kryetar të ri të LDK-së, i cili është Kujtim Shala”, deklaroi Hoti në RTV Dukagjini.
Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri në parti nuk ka.
“Garë nuk ka. Në LDK nuk ka proces të tillë dhe kur s’ka proces, nuk ka proces. Këtu ia qes pikën. Nuk flas për këtë punë”, deklaroi Haziri.
Se çfarë do të ndodhë në LDK dhe me kandidatët që po refuzojnë të dëgjojnë Lumir Abdixhikun mbetet të shihet.
Gjatë javës së kaluar, Abdixhiku e Kurti treguan se janë marrë vesh që Bekim Sejdiu të jetë i propozuari i tyre për president të vendit, por që këtë e bënë pa u marrë vesh më herët me grupin parlamentar. E për t’u marrë vesh, një takim i Grupit Parlamentar të LDK-së u mbajt, por që Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Janina Ymeri dhe Kujtim Shala dolën kundër votimit të Bekim Sejdiut për president.
Menjëherë pas kësaj kanë filluar edhe sulmet ndaj këtyre deputetëve nga akterë të VV-së, të cilët 6-shen e LDK-së po e fajësojnë për dërgimin e vendit në zgjedhje. /gazetametro.net