Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës kanë zhvilluar edhe sot aksionin e tyre para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, shkruan Gazeta Metro.
Ky është aksioni i katërt i njëpasnjëshëm i organizuar nga këto subjekte politike, ndërsa kësaj here atyre u janë bashkuar edhe aktivistë nga Prishtina. Pas përfundimit të aksionit, përfaqësuesit pritet t’u drejtohen mediave për të shpalosur qëndrimet e tyre lidhur me situatën aktuale institucionale.
Në një njoftim të publikuar sot, PDK ka përsëritur kërkesën për funksionalizimin e Kuvendit dhe ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për krijimin e një situate që kjo parti e konsideron krizë shtetërore.
Sipas PDK-së, sot është dita e 27-të e asaj që partia e quan “përmbysjes së rendit kushtetues”.
“PDK kërkon konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit dhe përfundimin e krizës shtetërore të shkaktuar nga Albin Kurti”, thuhet në njoftimin e partisë.
Partia ka bërë thirrje për pjesëmarrje në seancë për të gjithë ata që mbështesin, sipas saj, parimet demokratike, respektimin e Kushtetutës dhe funksionimin e institucioneve. Seanca konstituive është paralajmëruar të zhvillohet sot, më 3 shtator, duke nisur nga ora 11:00.
“E kush është për demokraci, rend kushtetues dhe funksionim normal të shtetit, i presim sot në sallën e Kuvendit, në orën 11:00. PDK do të jetë aty!”, thuhet në njoftim./gazetametro.net