Kompania ajrore indiane SpiceJet ka vlerësuar publikisht kapitenin Smit Machchhar, i cili u sulmua me thikë në një fluturim të Flydubai-t drejt Izraelit, transmeton Gazeta Metro
Kompania ka shprehur mbështetjen e saj për Machchharin dhe i ka uruar atij shërim të plotë dhe të shpejtë, duke e cilësuar si hero për veprimet e tij gjatë incidentit.
“Lutjet tona të sinqerta dhe respekti ynë më i thellë shkojnë për kapitenin Smit Machchhar për guximin e tij heroik në bordin e fluturimit FZ1073 të flydubai. Heroizmi juaj shpëtoi jetë të panumërta sot”, thuhet në reagimin e SpiceJet.
Nga kompania kanë thënë se veprimet e pilotit përfaqësojnë pikërisht vlerat që SpiceJet synon të promovojë.
“Guximi dhe veprimet e tij vetëmohuese janë një mishërim i vërtetë i vlerave që ne çmojmë në SpiceJet. Familja e tij në SpiceJet i bashkohet miliona njerëzve në Indi dhe në mbarë botën që i urojnë një shërim të plotë dhe të shpejtë. Për ne të gjithë, ju jeni një hero”, deklaroi kompania.
Machchhar kishte punuar për më shumë se 11 vjet në SpiceJet, përpara se t’i bashkohej flydubai në vitin 2022. Sipas të dhënave të cituara nga PTI, ai ka më shumë se 13 vjet përvojë në fluturimet komerciale dhe mbi 9,500 orë fluturimi.
Edhe ish-shefi i tij, Ajay Singh, kryetar dhe drejtor menaxhues i SpiceJet, reagoi publikisht për incidentin dhe vlerësoi veprimet e pilotit.
Singh tha se e gjithë India, së bashku me familjen e SpiceJet, është krenare për guximin që Machchhar tregoi gjatë incidentit në ajër.
Kapiteni Smit Machchhar mbetet në qendër të vëmendjes pas incidentit në fluturimin FZ1073, ndërsa vazhdon të marrë mbështetje dhe urime për shërim nga India dhe komuniteti i aviacionit./gazetametro.net