LDK është historia e Kosovës. Mos ja lini shfercerave, as poetëve se keni pas shumë dhe ju ka kaluar afati, e as ekonomistëve të Riinvestit se i keni provuar. Kthehuni në gjenezë. Nëse jeni aty ende dhe nëse e mbani mend çka ishte gjeneza e juaj, e jona.
Valon A.Syla
LDK i ka provuar të gjitha, dhe së fundmi flirti me Albin Kurtin më së shumti i shërbeu disave për karriera të veta se sa LDK-së për koalicione e qeverisje.
Ka fituar Vjosa nga kjo, Bulliqi komunë, Gërvalla e Peci ministra, e shumë të tjerë, por LDK jo. Tashmë kjo përvojë le të shërbejë për reflektim. Me humbje të tilla le të kthehet te vetvetja dhe të jetë për qejfi origjinale, autentike.
Nëse përnjëmend ju shkohet me VV le ta zgjedhin Abdixhikun e Vjosën, nëse jo mos t’ju vijë marre nga vetvetja dhe të ndihen e të sillen shlirë se kush janë, kush kanë qenë dhe për çka përnjëmend qëndrojnë pa kimë në gojë.
Mendoj se kanë shumë arsye që të mburren. Në qoftë se mbesin edhe 12% le t’i marrin ato qysh janë dhe për çka qëndron LDK përnjëmend. Por mos i merrni ato pak vota duke menduar se çka mendon Albin Kurti kur flisni, qysh ndiheni, ose çka mendon dikush tjetër.
Bile flisni e qëndroni lirshëm dhe shlirë, dhe kur i merrni 12% a 16% merrni në mënyrën e juaj. Edhe pse të gjithë ju kopjuan juve dhe ju plaçkitën nga simbole e kauza, kryetarët e LDK-së përfunduan duke i shikuar të tjerët e duke lexuar sondazhe.
LDK-së i duhet një kryetar/e që ia kthen origjinalitetin. Edhe ashtu nga viti 2004 deri sot, LDK nuk i ka fituar zgjedhjet. Dhe çka? Ka fituar madje edhe kryeministra.
Mos të ju vijë marre kush jeni, nëse e mbani mend kush keni qenë.
Faturat e vjetra nuk i takojnë gjeneratave të juaja të reja që vini, s’ka me pasë më kryetarë që rriten brenda partisë tu e sha Hashim Thaçin, ose UÇK-në, sepse kjo retorikë u stërtepru aq sa shumica mendon se anti-Thaçizmi e anti-Drenica dhe anti-UÇK-ja është Rugovizëm.
Jo, Rugovizmi ishte drejtim euro-atlantik në esencë, ishte identitet pro-perëndimor, ishte vizion për Republikë dhe kështu që edhe Hashim Thaçi ishte më rugovist në esencë se Abdixhiku e Vjosa, sot edhe Edi Rama është ma rugovist në esencë dhe qasje se krejt kjo gjeneratë edhe pse e re nuk i afrohen, e sidomos Albin Kurti që nga krejt miqtë e rugovizmit dhe thelbit u sanksionua.
Paramendone sa do t’i zgjaste Rugovës puna me Gazin Amerikan… ndoshta 5 minuta.
E krejt LDK thotë se është rugoviste, por Albinin që lidhje me këtë s’ka e sheh aleat ma të madh se krejt tjerët.
Për fund krejt në LDK le ta dinë një fakt që nuk ua thonë politikanët e partive tjera e që ish dashtë. LDK-së kurrë Albin Kurti s’mund t’i bëhet mik ma shumë se secili prej njerëzve me influencë në PDK ose AAK.
Kurrë Dardan Mulliqi, ose Albulena Haxhiu, ose Mefi, Dimali e Agim Bahtiri s’mund t’i bëhet LDK-së më mik se cilido anëtar i kryesive, ose deputet i partive opozitare.
LDK duhet të mendojë se kush është. Kë e ka mik, dhe pse vazhdon t’i shajë armiqtë e para 30 vjete, dhe flirton e negocion me armikun ma të madh të konceptit të LDK-së, të Kosovës dhe thithësin ma të madh të votave të tyre që është Albin Kurti.
A nuk jeni ngi Vetëvendosje? A nuk jeni ngi tu e sha PDK-në dhe s’po ju paguhet me vota? Pse LDK nuk shkrihet në VV me shpëtu krejt opozitën që e llogaritë aleat? Ku është LDK-ja që e maroj Kosovën moderne? Kryetari i ri i LDK-së do të duhej t’i kishte këto përgjigje.
Kujdes se kjo parti shtetformuese është afër shkatërrimit dhe nuk është lodër e askujt. Nëse ka LDK anëtarë ende dhe ju kanë mbet besnik çohuni e jepni zor, se doni me dalë krejt jashtë saj, në formën Guxo, VV dhe madje edhe PDK e AAK.
LDK është historia e Kosovës. Mos ja lini shfercerave, as poetëve se keni pas shumë dhe ju ka kaluar afati, e as ekonomistëve të Riinvestit se i keni provuar. Kthehuni në gjenezë. Nëse jeni aty ende dhe nëse e mbani mend çka ishte gjeneza e juaj, e jona.
Sigurisht se nuk ishte kjo që e pamë 5 vitet e fundit.