Është përkujtuar në Gjakovë veprimtari i pajtmit të gjaqeve Anton Çetta.
Në një ceremoni përkujtimore në vendlindjen e tij në Gjakovë, në fshatin e lindjes në Dol, është përkujtuar sot veprimtari i pajtimit të gjaqeve  Anton Çetta. Në këtë tubim morën pjesë përfaqësues lokal e vendorë, duke e shquar lartë veprën e tij.
Në këtë ceremoni morën pjesë profesorë, nxënës, zyrtarë të komunës së Gjakovës, banorë të fshatit Dol si dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj, i cili nuk hezitoi të flas për madhështinë që la pas Çetta, por foli edhe për atë që po e shqetësonte jo veç zëvendësministrin por edhe qytetarët e komunës së Gjakovës, mungesa e shtatorës së veprimtarit.
“Unë sot kur erdha në Gjakovë … hulumtova dhe desha të dijë se a ka mundësi se në këtë qytet ku ka lindur Anton Çetta të kemi mundësi të çojmë një buqetë me lule. Nuk ishte mundësia. Arsyeja pse nuk e di unë, se ndoshta po bëhem kritik, por një njeri siç është Anton Çetta dhe sot në këtë ditë që jemi mbledhur ta përkujtojmë, dhe nuk kemi mundësi që një buqetë me lule ta dërgojmë të shtatorja e tij mua nuk më duket në rregull, kështu që ta marrin si kritikë, sepse është edhe arsyeja se pse e anulova këtë fjalim. Por, shpresoj që gjërat e tilla dhe njerëzit meritor siç është Anton Çeta dhe shumë të tjerë, të ketë një konsideratë dhe një respekt shumë të madh, duke u nisur që nga vendlindja e tij”, tha Demaj.
Përveç Demajt folën edhe përfaqësues të tjerë të pranishëm shkollash, institucionesh e të tjerë duke e çmuar veprën e Anton Çettes.