PDK’ja nuk do e votojë Ligjin për Buxhetin që e ka propozuar Qeveria, pa u bërë ndryshimet e propozuara nga kjo parti, shkruan Gazeta Metro.
Këtë e ka thënë deputeti i kësaj partie, Besim Beqaj, duke shpresuar që pas amandamentimit të këtij ligji, buxheti do të plotësojë, të paktën minimalisht, nevojat e qytetarëve.
“Si buxhet duhet të marrë parasysh stabilitetin makrofiskal. Duhet të jemi të kujdesshëm të mos shkojmë me hua që kalojnë fuqinë tonë për financim. Edhe ne kemi pasur shqetësimet e veta lidhur me investimet kapitale nëpër komuna. Besoj që në mes të dy leximeve do të përmirësohet. Ka amandamente substanciale që Partia Demokratike e Kosovës ka punuar dhe që do të ndikojnë në këtë gjë. Besoj që kështu do të kemi një buxhet që plotëson nevojat e qytetarëve të vendit. Sidoqoftë, nëse nuk kalojnë këto amandamente, PDK nuk do ta votojë buxhetin”, ka thënë Beqaj.
Ndërkohë, Ligji për Buxhetin është bërë temë e përplasjes brenda koalicionit qeveritar, pasi PDK’ja nuk ka pranuar ta votojë projekt-ligjin e propozuar nga Qeveria, që udhëhiqet nga LDK’ja, pjesë e të cilës janë edhe vetë ata./gazetametro.net