Partia Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje nismës së Presidentit Hashim Thaçi, për dërgimin e Projektligjit të FSK-së në Kuvendin e Kosovës.
Në një konferencë për media, ishte Agim Çeku ai i cili së pari thuri një mori lëvdatash për Hashim Thaçi, dhe ofroi mbështetjen e partisë për këtë nismë, të cilën Çeku e vlerësoi si shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.
“PDK e vlerëson lartë iniciativën e presidentit dhe mendon se presidenti i është përgjigjur pozitivisht, në radhë të parë obligimeve dhe përgjegjësive të përpara Kushtetutës, zotimeve të veta si president, se shumë shpejt Kosova do ta ketë ushtrinë e vet. I është përgjigjur të gjitha pritjeve që ja donë të mirën Kosovës dhe popullit të saj”, tha Çeku para gazetarëve transmeton Gazeta Metro.
Duke treguar që ky projektligj i është përgjigjur kërkesave dhe nevoja të kohës, Çeku tha se ka qenë pikërisht Thaçi i cili ka vlerësuar drejt situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Ndërsa kur foli edhe për pengesën e këtij projektligji, përmendi serbët në Kuvendin e Kosovës.
E pikërisht ky projektligj sipas Çekut është përgjigja që i është dhënë spektrit serb të cilët vazhdojnë të deklarohen kundër krijimit të ushtrisë, apo shndërrimit të FSK-së në FAK.
“Kjo nismë është përgjigja më e mirë për ta. Ne nuk kemi nevojë ta pyesim më Serbinë për asgjë”, tha Çeku në këtë konferencë për media.
Ndërsa, shtoi se me krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës po përmbushet një boshllëk i madh në fuqizimin e shtetit të Kosovës. Kjo sipas Çekut do ta bëjë Kosovën më të barabartë dhe më krenare se sa ishim pa ushtrinë. /gazetametro.net