Loading…

PDK mbledh Kryesinë: Diskutohet rezultati i qershorit, paralajmërohen zgjedhje të brendshme

  • 09/06/2026 | 20:30

PDK mbledh Kryesinë: Diskutohet rezultati i qershorit, paralajmërohen zgjedhje të brendshme

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës zhvilloi sot takimin e radhës, ku është analizuar rezultati i zgjedhjeve të fundit dhe janë diskutuar orientimet politike dhe organizative për periudhën në vijim, transmeton Gazeta Metro.


Në vlerësimin e saj, organi drejtues ka theksuar se rënia e numrit të votuesve, krahasuar me proceset e mëparshme me rreth 200 mijë më pak pjesëmarrës, sinjalizon lodhje të elektoratit, polarizim të thelluar politik dhe pakënaqësi të akumuluar në shoqëri.

Gjatë mbledhjes u diskutuan edhe faktorët ekonomikë dhe politikë që mund të kenë ndikuar në rezultat, përfshirë edhe efektin e masave financiare dhe mbështetjeve qeveritare në prag të zgjedhjeve, të cilat sipas vlerësimeve kanë krijuar perceptim dekurajues te një pjesë e votuesve opozitarë.

Megjithatë, u theksua se PDK mbetet forca më e madhe opozitare dhe ruan nivelin e saj të përfaqësimit, me potencial për rritje të numrit të ulëseve në Kuvend.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se periudha e fundit ka qenë e ngarkuar me procese zgjedhore të njëpasnjëshme, gjë që ka kufizuar mundësinë për riorganizim të brendshëm dhe forcim të strukturave partiake.

Në këtë drejtim, është diskutuar edhe hapja e një procesi të ri zgjedhor brenda partisë, i cili pritet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, me synim përfshirjen e figurave të reja dhe gjeneratave të reja në drejtimin e partisë. Sipas diskutimeve, ky proces mund të nisë në shtator të vitit 2026.

Po ashtu, është ritheksuar rëndësia e përmbylljes së procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-drejtuesve të PDK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre, duke e konsideruar atë si çështje me peshë për shtetin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të vazhdojë reflektimin mbi rezultatet zgjedhore dhe angazhimin në funksion të qytetarëve dhe interesave të vendit./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë