Partia Demokratike e Kosovës ka demantuar deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me mospjesëmarrjen në zgjedhjet në Drenas.
Përmes një komunikate për media PDK thotë se Vetëvendosje nuk ka fuqi politike për të garuar në Drenas.
“Arsyeja e mospjesëmarrjes së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, kinse ata nuk duan të përfitojnë politikisht nga një dënim i padrejtë gjyqësor, si ai i rastit “Drenica 2”, është vetëm pretekst pa sens nga ana e kësaj Lëvizjeje, duke i marrë parasysh deklaratat e tyre karshi njerëzve që janë prekur nga ky dënim”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Vetëvendosje pati deklaruar se në këtë kohë janë duke i forcuar strukturat e tyre organizative me njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme, por në fakt PDK thotë se është krejt e kundërta.
“Pikërisht mungesa e kuadrove, strukturës dhe fuqisë politike në këtë Lëvizje është edhe arsyeja kryesore e refuzimit të pjesëmarrjes në zgjedhjet e jashtëzakonshme”, thuhet tutje në komunikatën e PDK-së./gazetametro.com