Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka sqaruar troç dhe pa ekuivoke qëndrimin e saj për zgjidhjen e krizës institucionale dhe prioritetet në agjendë rreth kësaj teme. Kreu i PDK, Bedri Hamzxa theksoi para takimit qartë të gjitha hapat drejt zgjidhjes, transmeton Gazeta Metro.
Bedri Hamza, kryetar i PDK’së, pas mbledhjes që ka mbajtur GP i kësaj partie, ka thënë se ata presin që ligji për Specialen të aprovohet në të gjitha nivelet, pastaj do të jenë të hapur për çështjen e presidentit.
‘’Qëndrimi i PDK është konsistent. Unë i falënderoj të gjithë deputetët e PDK për mbështetjen e plotë. Qëndrimi i jonë është që fillimisht me u aprovu ligji, dhe po e ritheksoj që mos me u keqkuptua me u aprovu ligji në të gjitha nivelet, në të dy leximet, gjitha komisionet, me u aprovu ligji, pastaj ne jemi të hapur që të diskutojmë për çështjen e presidentit. Dhe ne besojmë që ligji duhet me u aprovuar, vendi të ketë president, vendi të ketë stabilitet. Do të shkojmë në takim me Kurtin’’, ka deklaruar Hamza.
Hamza, ka bërë të ditur se pas kësaj mbledhje do të takohet me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, të shtunën pikërisht për këtë çështje.
Të premten të dy liderët u takuan për diskutime në lidhje me çështjen e presidentit dhe me projektligjin e PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Qeveria mbrëmë bëri me dije se e ka proceduar në Kuvend përgjigjen e vet në lidhje me projektligjin në fjalë.